Peticion për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë në veri të Kosovës.    /Foto: AP

Një grup i qytetarëve nga radhët e komunitetit serb në veri të Kosovës kanë dorëzuar kërkesë për shkarkimin e kryetarëve aktualë të katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Kërkesa e serbëve lokalë kishte të bënte me kryetarët shqiptarë të Mitrovicës së Veriut, Zubin Potokut, Zveçanit dhe Leposaviqit, ndërsa si arsyetim në këtë kërkesë të tyre përmendej “mosveprimi i kryetarëve dhe vendimet e tyre të njëanshme”.

Megjithatë, kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Nexhat Uglanin, tha për Anadolu se nuk e kanë pranuar këtë kërkesë, duke theksuar se kërkesa për peticion nuk është paraqitur në mënyrën e drejtë.

“Nuk e kam parë atë grup qytetarësh, nuk kanë ardhur tek unë, nuk kanë folur me mua, nuk e di se kujt i janë drejtuar. Kërkesa nuk më është dorëzuar as mua si kryesues i Kuvendit të Komunës, as kryetarit të Komunës. Nuk e dimë se për çfarë bëhet fjalë. Ata vetë e krijuan konfuzionin, sepse ata kanë nevojë për të tani, kur po afrohen zgjedhjet në Serbi”, tha Uglanin.

Kryetarët shqiptarë të katër komunave veriore me shumicë të popullatës serbe, të cilët u zgjodhën me vota në zgjedhjet lokale të prillit 2023, u vendosën në objektet komunale nga fundi i majit, hap që nxiti kundërshtim dhe protesta të serbëve lokalë.

Institucionet e Kosovës janë deklaruar kundër kërkesave për dorëheqje të kryetarëve në katër komunat në veri të Kosovës dhe kanë thënë se zgjedhjet në këto komuna do të mund të mbahen vetëm pas organizmit të një peticioni me të cilin kryetarët do të mund të largoheshin nga detyra.

TRT Balkan / agjencitë