Kurti: Rama t’ia prezantojë Vuçiqit draft-statutin për shqiptarët e Luginës / Foto: AA

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama duhet t’ia prezantojë Vuçiqit draft-statutin për komunat me shumicë shqiptare në Luginën e Preshevës, meqë beson se ai është i mirë dhe i duhur për veriun e Kosovës. Kështu kryeministri i Kosovës Albin Kurti e komenton draft-statutin për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, të cilin Rama ia dorëzoi Gjermanisë dhe Francës.

Ai i bëri thirrje homologut në Tiranë që në mbledhjen e ardhshme të Ballkanit të Hapur t’ia propozojë statutin e njëjtë Vuçiqit, por për pakicën shqiptare në Serbi.

“S’kam dyshim që kryeministri Edi Rama, beson që propozimi i tij i draf-statutit është i mirë dhe duke qenë kështu atëherë krejt çka unë propozoj është që kryeministri Edi Rama, këtë draft-statut për pakicat kombëtare t’ia prezantojë presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më së largu në takimin e radhës për Ballkanin e Hapur, për shqiptarët në Luginë. Patjetër që ai beson se është model i duhur, e këtë do të duhej t’ia bënte si propozim presidentit të Serbisë për shqiptarët në Luginë, aq më tepër që neni 8 pika 1 e Kushtetutë së Shqipërisë thotë se mbron të drejtat kombëtare të popullit shqiptar kudo”, tha Kurti.

Kryeministri i Kosovës tha se ende nuk e ka parë draftin të cilin Edi Rama ua dorëzoi liderëve evropianë, por thotë se beson që Rama e vlerëson atë si model të mirë për pakicat kombëtare.

TRT Balkan