Kryeministri i Kosovës Albin Kurti në mbledhjen e sotme të qeverisë lexoi pikat e marrëveshjes, që përfshijnë zvogëlimin e pranisë policore të Kosovës në dhe rreth ndërtesave komunale në veri, vlerësimin e vazhdueshëm të gjendjes së sigurisë dhe mbështetjen për zgjedhjet e reja e takim të ri në dialog.
Kryeministri i Kosovës theksoi se Serbia nuk po e pranon marrëveshjen për normalizim të arritur në Ohër.
“Unë kam nënvizuar në vazhdimësi që për suksesin e marrëveshjes bazike së pari të dyja palët duhet ta pranojë se marrëveshja është ligjërisht e obligueshme. Së dyti, që marrëveshja duhet të zbatohet në plotni. Së treti, që zbatimi i marrëveshjes nuk mund të kushtëzohet. Së katërti, që të dyja palët duhet të kenë mundësinë të negociojnë nga pozicione të barabarta, gjë që është cenuar prej vendosjes së masave të përkohshme kundër Kosovës nga ana e bashkimit Evropian”, tha Kurti.
Bashkimi Evropian ka vendosur masa ndaj Kosovës në fund të qershorit, që përfshijnë suspendimin e përkohshëm të punës së komisioneve të përbashkëta në mes BE-së dhe Kosovës, të krijuara në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit, mosdërgimi i ftesave zyrtarëve të Kosovës për takime të nivelit të lartë, suspendimi i vizitave bilaterale, me përjashtim të takimeve për zgjidhjen e krizës në veri të Kosovës.