Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës ka bërë hapjen e Konferencës "KosovaPar2023" (Reforma në Administratën Publike) në sallën e amfiteatrit të Bibliotekës Universitare në Prishtinë.
Në këtë konferencë u diskutua për të ardhmen e Administratës Publike, për fleksibilitin, stabilitetin dhe digjitalizim e administratës.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka thënë se prioritet i Qeverisë së Kosovës është reforma në administratën publike, si çelës për të gjitha reformat e tjera në shoqëri.
"Përveç funksionimit të mirë të institucioneve, reforma në administratën publike gjithashtu sjell përmirësimin e jetës së qytetarëve tanë, rritjen ekonomike, drejtësinë dhe punësimin, e rrjedhimisht edhe integrim evropian dhe euroatlantik. Andaj, ne jemi të përkushtuar që këto reforma t'i bëjmë realitet", theksoi Kurti.
Duke folur për reformat e ndërmarra, Kurti tha se me ligjin e ri për pagat në sektorin publik, 58 akte të mëparshme ligjore që rregullonin pagat janë përkthyer vetëm në një ligj. "Në administratën tonë raporti i pagës më të lartë me atë më të ulët ka qenë 20 me 1. Tash është 4.78 me 1. Kjo i ndihmon luftimit të pabarazisë së brendshme", theksoi kryeministri kosovar.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se organizimi i kësaj konference ndërkombëtare tregon aspiratën e Kosovës për administratë publike moderne. Ai tha se rëndësia e administratës publike është e madhe, sepse ajo është drejtpërdrejt përgjegjëse për zbatimin e politikave të qeverisë.
Sveçla theksoi se Ministria e Brendshme ka hartuar një sërë aktesh ligjore dhe nënligjore për të siguruar një administratë profesionale, apolitike, të bazuar në meritokraci, transparencë dhe llogaridhënie.
"Përveç cilësisë së shërbimeve publike, jemi të vendosur të përmirësojmë vazhdimisht situatën sa i përket çështjes së barazisë gjinore, sidomos kur bëhet fjalë për pozitat drejtuese ku kemi numër shumë më të vogël të grave. Do të kujdesemi gjithmonë për përfshirjen e të gjitha komuniteteve, e në veçanti personave me aftësi të kufizuara ku veçse jemi në rrugë të mbarë", shtoi Sveçla.
Në hapje të konferencës foli edhe ambasadori gjerman në Kosovë, Jörn Rohde, i cili vlerësoi se administrata publike është garantuesi i stabilitetit të vendit. Rohde tha se vendi i tij po e ndihmon Kosovën si një vend i ri që ka filluar në reformën e administratës publike.