Europol potencon kërcënimin që paraqet PKK-ja për BE-në / Foto: AA

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha sot se rrëmbimi i tre policëve në territorin e Kosovës nga njësitet speciale ushtarake të Serbisë përbën agresion ndaj shtetit demokratik të Kosovës. Ai thirri bashkësinë ndërkombëtare që të rrisë presionin ndaj Serbisë për të ndalur agresionin ndaj Kosovës dhe për të liruar policët e kidnapuar.

Kurti në një konferencë për media pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë ka thënë se rrëmbimi i policëve ka ndodhur thellë në territorin e Kosovës, 1 km larg kufirit në njërën anë, dhe 600 metra larg në pjesën veriore dhe 300 në pjesën tjetër.

“Ata nuk kanë mundur të kalojnë tutje siç pretendon Serbia. Ata nuk janë arrestuar në Serbi, por janë kidnapuar në Kosovë... Aty janë gjetur gjurmë të këpucëve dhe pranga në drejtim të Serbisë, pikërisht aty ku ka ndodhur kidnapimi. Ajo që më habit është që edhe përkundër shpërfaqjes së të vërtetës KFOR-i nuk del ende me sqarim se ku është ky vend”, tha Kurti.

Kryeministri i Kosovës theksoi se institucionet e sigurisë e kanë rritur nivelin e gatishmërisë.

“Cenimi i djeshëm nga Serbia na detyron të rrisim kontrollet kufitare dhe mund të përfshijnë ndalesën e udhëtimit në momentin kur rrezikohet siguria”, ka thënë ai.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se Serbia duhet të mbahet përgjegjëse për të gjitha sulmet që po i bën ndaj Kosovës.

Sipas tij, bëhet fjalë për dy formacione të Serbisë të cilat kanë hyrë në Kosovë.

“Ndonëse në dy vitet e fundit jemi ballafaquar me sulme të grupeve kriminale në veri të vendit, dy javët e fundit ato janë intensifikuar. Kidnapimi i djeshëm është planifikuar nga njësiti special i ushtrisë serbe ‘Kobra’”, tha Sveçla.

TRT Balkan / agjencitë