Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka folur sërish sot për aktin e agresionit në Banjskë të Zveçanit. Në krye dhe prapa këtij sulmi, sipas Kurtit është presidenti i Serbisë. “Disa ditë pas këtij sulmi terrorist ai u arrestua në Serbi dhe u lirua brenda disa orësh. Presidenti i Serbisë është në krye dhe mbrapa këtij sulmi derisa përpara janë kriminelët që i njohin nga krimi i organizuar në Veri dhe në kufirin tonë me Serbinë”, tha ai.
Kurti gjatë vizitës zyrtare në Austri në një intervistë për ORF-në, mediumin shtetëror në këtë vend deklaroi se Serbia po sillet si “Rusi e vogël”.
“Serbia për të krijuar Serbinë e madhe në Ballkan sillet si një Rusi e vogël. Serbia e di që s’mund ta ketë gjithë Kosovën, por i janë vënë pas pjesës sonë veriore të territorit, ku shumica e strukturave ilegale janë prezente për më shumë se 24 vjet që nga përfundimi i luftës. Serbia nuk dëshiron paqe në rajon, nuk dëshiron të anëtarësohet në NATO dhe BE, dhe dëshiron ta destabilizojë vendin tonë dhe të marrë territor që ta kompensojë humbjen e luftërave çerekshekulli më parë”, ka thënë Kurti.