Dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian është platforma e vetme për zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura mes Kosovës dhe Serbisë, deklaroi komandanti i ri i KFOR-it, gjeneralmajor Enrico Barduani, gjatë një takimi me kryeministrin Albin Kurti.
“Gjeneralmajor Barduani vuri në dukje gjithashtu angazhimin e tij të palëkundur për të nxitur unitetin e përpjekjeve me të gjithë homologët e tij, në mënyrë që të sigurohet koordinimi dhe të zvogëlohet mundësia për veprime që mund të çojnë në tensione”, u bë e ditur në njoftim.
Sipas Barduanit, dialogu i Brukselit është gjithashtu platforma e vetme për arritjen e zgjidhjeve “që respektojnë të drejtat e të gjitha komuniteteve”.
Ai u shpreh se kjo pikë është kyçe për sigurinë e qëndrueshme në Kosovë, si dhe për stabilitet rajonal.
Kosova dhe Serbia janë në dialog që synon të zgjidhë çështjet mes dy shteteve që nga viti 2011, në një proces të lehtësuar nga Bashkimi Evropian dhe mbështetur nga Shtetet e Bashkuara.
Enrico Barduani mori detyrën e komandantit të KFOR-it në Kosovë këtë muaj.
Për takimin mes Kurtit dhe komandantit të KFOR-it, ka njoftuar edhe kryeministria.
“Biseduan rreth rëndësisë së komunikimit të rregullt dhe bashkërendimit në shërbim të sigurisë dhe paqes në vend, dhe bashkëpunimit dhe aktiviteteve të përbashkëta të KFOR-it dhe institucioneve të sigurisë së Kosovës”, tha Zyra e Kryeministrit të Kosovës përmes një komunikate.