Kurti takon Kovaçevskin në margjinat e Forumit Ekonomik të Vjenës      / Foto: Qeveria e RMV-së

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në kuadër të pjesëmarrjes në Forumin Ekonomik të Vjenës, zhvilloi sot takim bilateral me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski.

Në takimin e dy kryeministrave u rikonfirmuan angazhimet e Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës për thellimin e bashkëpunimit të ndërsjellë me qëllim të thellimit dhe forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve të mira fqinjësore, me fokus bashkëpunimin ekonomik, njoftoi kabineti i kryeministrit maqedonas.

“Kovaçevski dhe Kurti diskutuan edhe për bashkëpunimin në fushën e energjetikës dhe konfirmuan se integrimi i tregjeve rajonale të energjisë elektrike dhe puna e mëtutjeshme aktive në drejtim të sigurimit të diversifikimit dhe qëndrueshmërisë së burimeve të energjisë është me rëndësi kyçe”, thuhet në njoftimin e kabinetit të kryeministrit Kovaçevski.

Gjithashtu, dy kryeministrat kanë shkëmbyer mendime për situatën në rajon, duke iu referuar dialogut Kosovë-Serbi dhe ranë dakord se çelësi i progresit të Ballkanit Perëndimor është zgjidhja paqësore e çështjeve të hapura rajonale, si dhe intensifikimi i bashkëpunimit të ndërsjellë, që është një kontribut për stabilitetin dhe prosperitetin e gjithë rajonit.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti gjatë fjalës së tij në Forumin Ekonomik të Vjenës theksoi se Serbisë duhet t’i bëhet presion për të firmosur Marrëveshjen e Brukselit dhe atë të Ohrit, pasi nënvizoi se hapi i parë dhe më i rëndësishëm për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi është nënshkrimi i njohjes de-facto.

TRT Balkan