Kurti zhvillon takime dypalëshe në Forumin Ekonomik Botëror në Davos / Foto: Qeveria e Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar takime me prijës të disa vendeve mike të Kosovës në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror që po mbahet në Davos të Zvicrës.

Siç njofton Zyra e Kryeministrit, Kurti në takim me kryeministren e Finlandës, Sanna Marin, ka theksuar marrëdhëniet e mira mes dy vendeve, duke e falënderuar kryeministren Marin për kontributin e Finlandës për Kosovën para dhe pas shpalljes së pavarësisë.

Kryeministrja Marin shprehu mbështetjen për Kosovën për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe Bashkimin Evropian, ndërsa u bisedua edhe për rritjen në 70 të numrit të ushtarëve finlandezë në Forcat Paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë (KFOR).

Në takimin me ministrin e Investimeve të Arabisë Saudite, Khalid Al-Falih, Kurti ka folur për punën e qeverisë dhe reformat e ndërmarra, derisa e falënderoi Arabinë Saudite për mbështetjen e dhënë Kosovës.

Në takim me Al-Falih, kryeministria thekson se theks të veçantë patën temat e energjisë së ripërtërishme, infrastrukturës dhe turizmit, si dhe mundësitë që Kosova ofron për bizneset e huaja në këta sektorë.

Në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror në Davos, Kurti ka takuar edhe presidentin e Republikës Demokratike të Timorit Lindor, José Manuel Ramos Horta, dhe ministren e Punëve të Jashtme dhe të Bashkëpunimit, Adaljiza Magno.

Në këtë takim u theksua marrëdhënia unike ndërmjet Kosovës dhe Timorit Lindor, si dhe historia e ngjashme e sundimit të huaj në të dyja shtetet ndërsa u potencua nënshkrimi i marrëveshjes për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, nënshkruar më 9 mars të vitit 2022 mes Republikës së Kosovës dhe Republikës Demokratike të Timorit Lindor. Me këtë nënshkrim, u tha në takim, distanca ndërmjet dy vendeve është shkurtuar dhe është hapur rruga e bashkëpunimit.

AA