Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani ka pritur në takim Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak.
Siç njofton Zyra e Presidentes, në takim u diskutua për zhvillimet e fundit në procesin e dialogut me Serbinë, me ç’rast presidentja Osmani ka ritheksuar se “Republika e Kosovës mbetet e angazhuar për një proces, i cili i kontribuon paqes afatgjate, sigurisë dhe prosperitetit të qëndrueshëm në rajon”.
Presidentja Osmani potencoi se aneksi i zbatimit të marrëveshjes bazë, të dakorduar në Bruksel, duhet të jetë në frymën e parimeve të miratuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës, gjegjësisht, paprekshmërisë së sovranitetit, integritetit territorial, kushtetutshmërisë dhe funksionalitetit të shtetit të Kosovës.
Tutje, Osmani ka thënë se Kosova mbetet palë konstruktive në procesin e dialogut dhe e koordinuar me partnerët e saj, ndërsa ka ritheksuar se fjalën përfundimtare rreth një marrëveshjeje duhet ta thotë Kuvendi i Kosovës në përputhje me procedurat kushtetuese.
Osmani gjithashtu ka mirëpritur vendimin e sotëm të Këshillit të Bashkimit Evropian, ku në mënyrë unanime është miratuar e drejta e qytetarëve të Kosovës për të udhëtuar në shtetet e zonës Schengen pa vizë.
Pasdite, Lajçak takoi edhe kryeministrin e Kosovës Albin Kurti. Emisari i BE-së tha se ka ardhur për të dëgjuar qëndrimet e palës kosovare rreth marrëveshjes së propozuar nga BE-ja, ndërsa do të dëgjojë edhe zyrtarët serbë gjatë vizitës zyrtare në Beograd.
Pas takimit të 27 shkurtit ndërmjet kryeministrit Ablin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq në Bruksel, ku palët u pajtuan të mos ketë diskutime të mëtutjeshme mbi propozimin evropian, të njohur edhe si plani franko-gjerman, dy përfaqësuesit e shteteve fqinje pritet të takohen më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut.