Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se Gjykata Kushtetuese në Maqedoninë e Veriut duhet të vlerësojë në mënyrë të drejtë për sa i përket Ligjit për Gjuhët “ku s’ka diskriminim dhe as përjashtime për shqiptarët”.
Sipas tij, në Maqedoninë e Veriut s’mund të thuhet se gjuha shqipe ka qenë gjuhë zyrtare dhe se tani po rrezikohet, “pasi tri dispozitat e ligjit që janë kontestuar në Kushtetutë s’janë zbatuar në të kaluarën”.
“Tani i përket Gjykatës Kushtetuese që t’i vlerësojë, por duhet të sqarojmë një gjë. S’ka në Maqedoni të Veriut ligj për përdorimin e gjuhës shqipe dhe s’ka pasur as në të kaluarën. Ekziston ligji për përdorimin e gjuhëve që përmend shifrën 20 për qind, por ai nuk është ligj për përdorimin e gjuhës shqipe”, deklaroi Kurti.
Ai tha se në Kosovë, ndonëse shqiptarë janë rreth 93 për qind, duke qenë se katër për qind janë komunitete serbe, serbishtja është vendosur gjuhë zyrtare.
“Por, në Maqedoni të Veriut s’mund të thuhet se ka qenë shqipja gjuhë zyrtare dhe tash po rrezikohet. Kjo nuk është e vërtetë”, shtoi kreu i shtetit të Kosovës.
Ndërkaq, në konferencë për media së bashku me homologun e tij maqedonas, Hristijan Mickoski, theksoi nevojën e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
Kurti u shpreh se dallimet ndëretnike nuk shkaktojnë më konflikt në Ballkanin Perëndimor.
“Nuk besoj se në Ballkanin tonë ka pikëpamje të tilla të cilët do të na bënin dallimet ndëretnike konflikte. Mund të ketë dëshira, por nuk besoj se ka më pikëpamje të etabluara sikur ishin në vitet e 90-ta, kur edhe u eksploduan nga Beogradi zyrtar dallimet ndëretnike për të shkaktuar luftëra të përgjakshme të cilat synonin të krijonin Serbinë e madhe”, deklaroi ai.
Krahas marrëveshjeve të arritura, Kurti bëri të ditur se edhe ndërtimi i tunelit që lidh Prizrenin me Tetovën do të fillojë së shpejti.
Më tej, i pyetur për rastin “Mostra”, kryeministri tha se ministrat e Drejtësisë së dy vendeve po punojnë në këtë drejtim, mirëpo shtoi se kjo çështje është më shumë ligjore që u përket gjykatave.
Ndërkaq, në lidhje me mbledhjet e mundshme të përbashkëta me Shqipërinë, Kurti u shpreh qartë se është i gatshëm për ta mbajtur të njëjtën.
Sipas tij, 58 marrëveshjet e arritura me Shqipërinë nën mandatin e tij po zbatohen pa asnjë problem.