​Maqedonci me admiralin italian: Prioritet stabiliteti i Ballkanit      /Foto: Ministria e Mbrojtjes e Kosovës

Në kuadër të vizitës zyrtare në Itali, ministri i Mbrojtjes i Kosovës Ejup Maqedonci sot u prit në takim nga shefi i ushtrisë së Italisë dhe kryesuesi i ardhshëm i Komitetit të NATO-s, admiral Giuseppe Cavo Dragone.

Ata me këtë rast diskutuan për situatën aktuale gjeopolitike, zhvillimin e FSK-së, bashkëpunimin bilateral në fushën e mbrojtjes dhe synimin e Kosovës si shtet për anëtarësim në NATO dhe BE.

Ministri Maqedonci e falënderoi admiralin italian për bashkëpunimin e shkëlqyer të deritanishëm dhe për mbështetjen e vazhdueshme që Italia ka ofruar nëpërmjet trupave të KFOR-it dhe EULEX-it.

Ndërsa, admirali italian shprehu vlerësim të lartë për mënyrën se si është menaxhuar sulmi terrorist në veri të vendit më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit. Ai, po ashtu, shfaqi vullnet e gatishmëri të plotë për të përkrahur Kosovën në rrugën drejt anëtarësimit në Programin e Partneritetit për Paqe.

Maqedonci dhe Dragone u dakorduan që ruajtja e stabilitetit në Ballkan e më gjerë përbën prioritet, ndërsa koordinimi me partnerët strategjikë është lidhja që e garanton këtë, thuhet në një komunikatë për media.

Kosova Press