Takimi në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Këshillit Grevist të kryesuar nga kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj përfundoi pa ndonjë marrëveshje.
Këmbëngulësia për grevë sipas kryeministrit Albin Kurti nuk po bëhet për arsim e as për arsimtarët. Ai në konferencë për media pas takimit me Këshillin Grevist të BSPK-së deklaroi se sindikatat me atë çfarë është ofruar nga qeveria do të duhej të organizonin festë, duke shtuar se kërkesa e përmbushjes së plotë të kërkesave është e palogjikshme dhe e rrezikshme.
“Të kërkosh përmbushje të plotë të kërkesave është edhe e palogjikshme edhe e rrezikshme. Një sindikatë që i kërkon 100 euro e i ka marrë 50 euro dhe gjithë këto shtesa rrotull, pesë për qind të bruto produktit vendor sivjet, dhe 4 vitin e kaluar, organizon festë nuk vazhdon grevë. Por në ditët e javët në vijim do të marrim vesh se çka është në pyetje. Nuk është në pyetje arsimi, nuk janë në pyetje arsimtarët. Tha se do të konsultohemi me anëtarësinë dhe doli para juve mediumeve duke deklaruar që do të vazhdojnë me grevën, e kur i pyeti anëtarësinë?”, ka deklaruar Kurti.
Pas këtij takimi i cili zgjati pothuajse dy orë, kryetari i SBASHK-ut,Rrahman Jasharaj tha se palët nuk kanë lëvizur nga qëndrimet e tyre. Sindikalistët nga kërkesa për 100 euro në muaj deri në miratimin e Ligjit të pagave e qeveria nga 50 euro në muaj deri në fund të këtij viti.
“Për momentin asgjë nuk kemi ndryshime, qeveria qëndron në deklarata që veç i dini lidhur me pakon, ne qëndrojmë si zë i sektorit publik me kërkesat tona... temë e nxehtë ishte edhe pakoja ata e kanë dhënë pa diskutim me ne por ne insistuam që kjo shuma e përmendur që nuk është pranuar nga asnjë grevistë në Republikën e Kosovës të lëvizë. Ne ishim të gatshëm të bëjmë edhe këtu një kompromis të vogël për hir të situatës. Por, qeveria mbeti tek ajo shuma e proklamuar në pakon dhe po them në këtë situatë nuk ka arritje, por e mira e kësaj është se uroj që filloi dialogu, uroj që kryeministri Kurti dhe të tjerët të mos t’i mbyllin dyert dhe të vazhdojmë me dialogun”, tha Jasharaj.
Përveç kryeministrit, Kurti në takimin me Këshillin Grevist ishte prezente edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci dhe ministri Financave, Hekuran Murati.
Nga 25 gushti administrata publike në vend është në grevë. Nga 1 shtatori as mësimi nuk ka filluar në Kosovë. Grevistët po kërkojnë përfshirje në konsultime për Ligjin e Pagave, por kërkesë kyçe kanë 100 euro deri në zbatim të Ligjit të pagave. Grevat në arsim kanë shkaktuar pakënaqësi të mëdha edhe tek prindërit.