Përmbytjet në disa vende të Kosovës kanë vazhduar të rrezikojnë jetët e qytetarëve edhe gjatë natës së mbrëmshme. Situata më kritike mbetet në Skënderaj, Istog, Klinë dhe Mitrovicë. Gjatë natës, Forcat e Sigurisë të Kosovës dhe Policia e Kosovës kanë punuar intensivisht për të evakuuar qytetarët në zonat e prekura.
FSK-ja thotë se është e përgatitur dhe e gatshme të mbështesë autoritetet civile në përballje me situatën e krijuar nga vërshimet e ditëve të fundit, ndërsa njoftoi se mbrëmë ka marrë pjesë në disa operacione shpëtimi.
“Forca e Sigurisë së Kosovës me ekipet e saj të Kërkim Shpëtimit në ujëra, pas situatës së rënduar të përmbytjeve në vendin tonë, ka ngritur gatishmërinë operacionale, duke marrë pjesë në operacionet e shpëtimit të jetëve të qytetarëve në zonat e prekura Skënderaj, Istog, Klinë dhe Mitrovicë."
Edhe Policia e Kosovës ka shtuar patrullimet duke u angazhuar së bashku me Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave, Zjarrfikësit e Njësitet Emergjente komunale si dhe janë duke koordinuar veprimet për reagime në ato zona ku ka nevojë.
Ata njoftojnë se si pasojë e të reshurave ka pasur vërshme në veri të vendit, ndërsa nivel të shtuar të ujit është regjistruar edhe në rajone tjera, si në dy rrugë të Gjakovës, në Ujëmir të Klinës, në rajonin e Podujevës, në Istog dhe në rajonin e Mitrovicës Jugu, Skënderaj, dhe të tjera.
“Policia mbetet e përkushtuar që t'u dalë në ndihmë qytetarëve pa dallim dhe njëkohësisht fton qytetarët që të jenë vigjilentë dhe të lajmërojnë të gjitha rastet ku ka situata emergjente nga vërshimet si dhe të kenë kujdes të shtuar gjatë ngasjes së automjeteve”, thotë policia.
Përveç vërshimeve, në disa pjesë të vendit janë regjistruar edhe shembje dheu e gurësh në rrugë, duke bllokuar komunikacionin.
Kryeministri Albin Kurti dhe përfaqësues të Qeverisë e pushtetit lokal kanë vizituar sot rajonet e përmbytura, për t'u njohur nga afër me gjendjen në terren.