Qeveria zvicerane përjashtoi shtetasit e Kosovës nga kërkesat për viza, vendim i cili do të hyjë në fuqi më 1 janar të vitit 2024.
“Kosova ka përmbushur kërkesat për përjashtimin e vizave në aspektin e sigurisë, kontrollit kufitar dhe menaxhimit të migracionit”, thuhet në një njoftim të Sekretariatit Shtetëror Zviceran për Migracionin.
Zvicra citoi miratimin e rregullores së Schengen-it në muajin prill nga organet përkatëse të Bashkimit Evropian (BE), që i përjashton kosovarët me pasaporta biometrike nga kërkesat për vizë për qëndrime prej 90 ditësh ose më pak.
"Si pjesë e Schengen-it, Zvicra është angazhuar të miratojë zhvillime të mëtejshme sipas Schengen-it", thuhet gjithashtu në njoftim, duke iu referuar zonës Schengen, kryesisht të përbërë nga vendet e BE-së, por ku përfshihen edhe vende jashtë bllokut, siç është Zvicra.
Megjithatë, akoma do të kërkohet vizë për të kryer një punë fitimprurëse në Zvicër.
Sekretariati shtoi se shtetasve kosovarë do t'u lejohet të punësohen vetëm me kusht që të jenë të kualifikuar profesionalisht, si dhe të mos gjenden punëtorë adekuatë në tregun zviceran të punës ose në shtetet e BE-së dhe EFTA-s.
Gjithashtu, duhet të respektohen kushtet e zakonshme të pagës dhe punës. Miratimi i vendimit të përjashtimit të kosovarëve nga regjimi i vizave në Zvicër kërkonte një ndryshim të rregulloreve të vizave zvicerane që do të hyjnë në fuqi më 1 janar të vitit 2024.
Zvicra e njohu pavarësinë e Kosovës në shkurt të vitit 2008.