Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bëri të ditur se nga 1 janari i vitit të ardhshëm shtetasit e Bosnje dhe Hercegovinës do të mund të udhëtojnë me letërnjoftim biometrik drejt Republikës së Kosovës.
“Në nëntor janë bërë dy vjet prej nënshkrimit të Marrëveshjes për Lëvizjen e Lirë me Letërnjoftime në Ballkanin Perëndimor në Berlin, si pjesë e marrëveshjeve të Procesit të Berlinit. Vendi ynë ishte i pari që e kishte ratifikuar këtë marrëveshje në parlament”, ka shkruar kryeministri në rrjetin social Facebook.
Sipas Kurtit, bllokada nga entiteti i Republikës Sërpska ka privuar për një kohë të gjatë qytetarët e Bosnjës dhe Hercegovinës, si dhe të Republikës së Kosovës, nga e drejta e lëvizjes së lirë me letërnjoftime, në një kohë kur i gjithë rajoni udhëton lirshëm drejt Bashkimit Evropian.
“Teksa ne po i japim fund pritjes së qytetarëve nga Bosnja e Hercegovina, mbetemi me shpresë se Bosnja e Hercegovina do të jetë në gjendje ta ratifikojë marrëveshjen sa më shpejt që të jetë e mundur në mënyrë që i gjithë rajoni të gëzojë lirinë e lëvizjes”, deklaroi Kurti.
Më tej, kryeministri kosovar tha se ka besim se ky vendim do të rrisë lidhjet ndërmjet Kosovës dhe Bosnjës, duke shtuar kështu mundësitë për bashkëpunim në të ardhmen në fushat si arsim, kulturë, sport, ekonomi dhe fusha të tjera me interes të përbashkët.
“Mirësevini në Kosovë”, përfundoi shkrimin Kurti.