Gjatë ditës së dytë të qëndrimit të tij në Kosovë, përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka takuar tre krerët e partive opozitare në vend. Temë kryesore në këto takime ishte dialogu Kosovë-Serbi, dhe opozitarët kërkuan që ky proces të përmbyllet me njohje reciproke.
Fillimisht Lajçak takoi kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi i cili përmes një postimi në Facebook njoftoi për këtë takim dhe atë që është diskutuar.
Sipas tij procesi i dialogut duhet të përmbyllet me marrëveshje finale dhe njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë
“Zotëri Lajčak më informoi rreth zhvillimeve të fundit në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe hapave të mëtutjeshëm që pritet të ndërmerren. Atë e njoftova me qëndrimet e pandryshuara të PDK-së për procesin e dialogut, i cili duhet të përmbyllet me marrëveshje finale dhe njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë”, ka shkruar Krasniqi.
Më pas, Lajçak takoi edhe kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.
Nga ky takim u tha se kanë biseduar për situatën e përgjithshme në vend dhe procesin e dialogut, për të cilin proces Abdixhiku rikonfirmoi qëndrimin e tyre se procesi i dialogut duhet të përfundojë me njohje reciproke.
“Procesi i dialogut duhet të përfundojë me njohje reciproke, normalizim të plotë të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, si dhe duke respektuar integritetin territorial, sovranitetin e rendin kushtetues të Kosovës. Kryetari Abdixhiku, ndër të tjera, tha se LDK mbetet partnere kredibile e miqve ndërkombëtar në të gjitha proceset e rëndësishme dhe integruese të vendit. Në fund të takimit, kryetari Abdixhiku, specifikisht kërkoi përshpejtimin e procesit të liberalizimit të vizave e cila u adresua edhe në Rezolutën e EPP-së, që u votua në fillim të muajit në Rotterdam”, thuhet në njoftimin e LDK-së në Facebook.
Takim me përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak zhvilloi edhe kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Në Facebook, Haradinaj tha se roli strategjik i SHBA-së për përfshirje në dialogun me Serbinë është i domosdoshëm, ndërsa theksoi se marrëveshja duhet ta ketë epilogun e njohjes reciproke.
“Në takim me Përfaqësuesin Special të BE-së për dialogun Kosovë - Serbi, z. Miroslav Lajçak, ripërsërita qëndrimet tona për dialogun, domosdoshmërinë e rolit strategjik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe përkushtimin tonë për një Marrëveshje Gjithëpërfshirëse ligjërisht të obligueshme, e cila ka epilog njohjen reciproke mes dy vendeve. Gjithashtu z.Lajçak e falënderova për angazhimin e tij dhe të Bashkimit Evropian në këtë proces të rëndësishëm për Kosovën”, ka shkruar Haradinaj.
Prej dje në Kosovë po qëndron i dërguari special i BE-së, Miroslav Lajçak i cili ditën e parë të qëndrimit të tij në Kosovë ka takuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Lajçak do të qëndroj në Kosovë deri më 29 qershor.
28 Qer 2022
Opozita në Kosovë: Dialogu Kosovë-Serbi të mbyllet me njohje reciproke
Udhëheqësit e partive opozitare në Kosovë në takimet që zhvilluan me përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ia bënë të qartë qëndrimin e tyre
Kosova Press
Lajme të ngjashme
Kurti: Dënim maksimal për vrasësit e Liridonës dhe 14-vjeçares në Shkup
Kurti po ashtu ka kujtuar se disa prej rasteve më të rënda gjatë luftës në Kosovë kanë qenë kur forcat serbe dhunuan vajza e gra dhe në shumë raste edhe në prani të familjarëve, për çka tha se kjo dukuri duhet të zhduket përgjithmonë.
Artikujt në këtë kategori
Monumenti i simbol i pavarësisë së Kosovës "NEWBORN" merr pamje të re
"E pëlqeve apo e urreve, e deshe apo ia pate frikën, Inteligjenca Artificiale është këtu, edhe çdo ditë e më shumë po bëhet pjesë e pashmangshme e jetëve tona", ka thënë Ismaili për dizajnin e këtij viti të monumentit të pavarësisë.
Çfarë tjetër do të donit të dinit?
Popullore
Gjykata Speciale kufizon kontaktet për Thaçin, Veselin dhe Selimin
Ky vendim, siç njofton Gjykata Speciale, vjen si përgjigje ndaj përpjekjeve për të ndërhyrë te dëshmitarët e për të penguar dëshmitë e tyre, dhe kërcënimeve të mëtejshme ndaj integritetit të procesit në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerët.