Në shënim të 24-vjetorit të çlirimit të Kosovës, krerët e shtetit vendosen kurora lulesh te pllaka përkujtimore e ushtarëve të rënë të NATO-s.
Pas homazheve, Presidentja e vendit Vjosa Osmani ditën e sotme e ka quajtur si më të rëndësishmen për Kosovën.
E para e vendit Osmani është shprehur përherë mirënjohëse për të gjithë vizionarët e shtetit, aktivistët, ushtarët e UÇK-së dhe për aleatët që ndihmuan në çlirimin dhe pavarësinë e vendit.
"Sot shënojmë përvjetorin e një prej ditëve më të rëndësishme në historinë e kombit tonë, në historinë e Republikës së Kosovës, ditën kur shteti ynë u çlirua pas një lufte e cila rezultoi me gjenocid ndaj një populli të pafajshëm të Republikës së Kosovës. Tani po nderojmë ushtarët e NATO-s, ata që nga 10 qershori e tutje hynë në Republikën e Kosovës për t’ia dhënë vulën e çlirimit të vendit tonë”, tha Osmani.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti theksoi se ndërhyrja ushtarake e NATO-s e ndaloi gjenocidin e Serbisë mbi popullin e Kosovës, për çka tha se gjithë populli është gjithnjë falënderues dhe mirënjohës.
“Bashkë me presidenten e Republikës dhe kryetarin e Kuvendit kujtuam duke vendosur lule të freskëta dhe bërë homazhe humanizmin e Rugovës, qëndresën e Demaçit, sakrificën e Jasharajve dhe këtu kontributin e NATO-s. Përulemi para të gjithë dëshmorëve dhe martirëve të kombit dhe të gjithë atyre të cilët dhanë jetën për lirinë e popullit dhe çlirimin e Kosovës. Ndërhyrja ushtarake e NATO-s e ndaloi gjenocidin e Serbisë mbi popullin tonë gjithnjë dhe përgjithmonë jemi falënderues dhe mirënjohës”, tha Kurti.
Presidentja Vjosa Osmani, kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca gjatë ditës kanë bërë homazhe edhe pranë varrit të ish-presidentit Ibrahim Rugova, ish-veprimtarit Adem Demaçi dhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
Ndërsa, 24 vjet më parë në Kosovë u vendosën 50 mijë ushtarë të NATO-s dhe bashkë me ta edhe administrata e përkohshme e Kombeve të Bashkuara.
Më 12 qershor të vitit 1999, pas 78 ditë bombardimesh të Aleancës Ushtarake Perëndimore të udhëhequr nga Amerika kundër caqeve ushtarake serbo-malazeze në Kosovë në Serbi dhe Mal të Zi, trupat e NATO-s hynë në Kosovë në misionin paqeruajtës që do të quhej KFOR, duke i dhënë fund luftës gati dyvjeçare midis popullsisë kryengritëse shqiptare të organizuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave okupuese ushtarake dhe policore serbo-malazeze.