Vjosa Osmani / Foto: AA Arkiv / Photo: AA Archive

Komandantja supreme e Forcës së Sigurisë së Kosovës, presidentja Vjosa Osmani, ka thënë sot se FSK-ja po lëviz me shpejtësi drejt zhvillimit të aftësive të specializuara.

Sipas saj, sot po shënohet një moment historik për Kosovën dhe komandën e gardës kombëtare të FSK-së. Kështu është shprehur ajo në përmbylljen e ushtrimit ndërkombëtar “Kosova Resolve 2023”.

“Unë qëndroj para jush e impresionuar dhe me krenari absolute për punën e shkëlqyer që ka kryer ekipi ynë i kërkim-shpëtimit së bashku me kombet partnere, pra, kjo është një ditë e madhe me të vërtetë. Qendra Ndërkombëtare e Trajnimit të Kërkimit dhe të Shpëtimit e Kosovës vazhdon të bëjë përparime të mëdha brenda Kosovës në nivel ndërkombëtar. Forca e Sigurisë së Kosovës dhe Qendra Ndërkombëtare po lëvizin me shpejtësi drejt zhvillimit të aftësive të specializuara. Ne jemi të bindur se do të kontribuojnë gjithnjë e më shumë në përpjekjet ndërkombëtare për paqen dhe sigurinë, ndërsa ne vazhdojmë të ecim në rrugën drejt anëtarësimit në NATO”, tha presidentja Osmani.


Kosova Press