Osmani kundërshton BE-në: Kosovës i kërkohen gjëra që s’janë në marrëveshje / Foto: AA Arkiv / Photo: AA Archive

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që të mos kërkojë nga Kosova të zbatojë gjëra të cilat nuk janë në marrëveshjen bazë Kosovë-Serbi, por të insistojë në zbatimin e aneksit të marrëveshjes për të cilin janë pajtuar dy palët. Ajo ka thënë se interpretimet e reja nga BE-ja, ku neni shtatë kërkohet të jetë prioritet ose parakusht i zbatimit të neneve të tjera të marrëveshjes e zhvlerësojnë procesin e dialogut.

Osmani tha se Kosova do të zbatojë të gjitha nenet për të cilat është zotuar, por jo hapa të tjerë për të cilat nuk është pajtuar.

“Ne presim që BE-ja të mos kërkojë që të zbatohen gjëra për të cilat nuk jemi pajtuar. Ndërkaq, të kërkohet pikërisht ajo që është pajtuar Kosova dhe Serbia. Ne presim akoma që BE-ja të jetë e qartë në raport me shkeljet e Serbisë, deri tani nuk e kemi pa një gjë të tillë”, tha presidentja Osmani.

Krahas kësaj, e para e shtetit tha se Kosova do të vazhdojë të jetë konstruktive në proces të dialogut me ide evropiane.

“Republika e Kosovës do të vazhdojë të ketë qasje konstruktive. Në çdo proces të dialogut shkon me mendje të hapur dhe ide të cilat janë evropiane dhe jo që na shpien prapa në shekullin e kaluar. Ide që janë të bazuara në të drejtat e njeriut dhe të drejtat e pakicave. Jo ide të cilat mund t’i jepni Serbisë instrumente për të minuar sovranitetin dhe integritetin territorial. Rrjedhimisht është me rëndësi që në çdo proces si dritë udhërrëfyese të kemi Kushtetutën e Kosovës, e cila edhe ashtu është Kushtetuta më e avancuar në gjithë kontinentin evropian”, shtoi Osmani.

Duke folur për betimin e kryetarëve të rinj në katër komunat veriore, Osmani tha se nuk ka arsye për tensione dhe i ftoi të gjithë qytetarët e vendit të mos bien pre e propagandës.

TRT Balkan / agjencitë