Përkushtimi i popullit dhe institucioneve të Kosovës për t’ju bashkuar familjes së BE-së është i palëkundur, tha presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në takimin e sotshëm me presidentin e Këshillit të Evropës, Charles Michel.
Presidentja Osmani, në këtë takim e theksoi se ka ardhur koha që të ngriten marrëdhëniet e Kosovës me institucionet evropiane në një nivel më të lartë.
“Ne besojmë se në këtë proces sikurse edhe në çdo tjetër është shumë me rëndësi të flasim se cila është zgjidhja e vetme që e vulosë paqen afatgjate. Ajo është njohja reciproke. Vetëm kur Serbia ta njoh realitetin e Kosovës së pavarur, realitet që nuk ka prapakthim dhe është për të qëndruar përgjithmonë, atëherë ne vërtetë do ta shohim paqen afatgjate përpara dhe po ashtu do të shohim hapa konkretë për të gjithë rajonin tonë drejtë anëtarësimin në Bashkimin Evropian”, tha Osmani.
Mes tjerash ajo shtoi se populli i Kosovës dhe shteti do të mbetet stoik në refuzimin e ndikimeve ruse, por ka nevojë që BE-ja të bëjë të qartë perspektivën evropiane të Kosovës dhe rajonit. Liberalizimi i vizave ishte po ashtu temë diskutimi mes presidentes Osmani dhe presidentin e Këshillit të Evropës, Charles Michel.
Presidenti i Këshillit të Evropës, se mirëpresin punën e Qeverisë së Kosovës për reforma, sidomos në çështje kyçe sikurse është sundimi i ligjit.
Sipas tij, fokusi i Kosovës duhet të jetë në dialogun Kosovë-Serbi.
“Kosova duhet të angazhohet me fokus në bërjen e progresit në procesin e dialogut Kosovë-Serbi. Të dyja palët duhet të bëjnë progres të shpejtë në implementimin e marrëveshjeve të vjetra dhe është koha që në nivel liderësh të shihet përpara për të avancuar këtë proces në të mirën e gjithë rajonit”, theksoi Michel.
Republika e Kosovës më 12 maj zyrtarisht ka aplikuar për t’u bërë anëtare e organizatës ndërkombëtare “Këshilli i Evropës – Council of Europe” me seli në Strasburg të Francës.
Mundësia e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës u hap nga 16 marsi i këtij viti kur zyrtarisht u përjashtua nga ky institucion Federata Ruse, për shkak të nisjes së luftës së paprovokuar në Ukrainë. Në mungesë të Rusisë, dy të tretat e shteteve anëtare të kësaj organizate të cilat e njohin pavarësinë e Kosovës, i japin shtetit të Ballkanit Perëndimor mundësi reale për anëtarësim.