Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka deklaruar se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ‘nuk po i mban fjalët që u ka dhënë para aleatëve ndërkombëtarë’ dhe sipas saj për këtë duhet të ndëshkohet.
Osmani e pyetur në lidhje me thirrjet e listës serbe që qytetarët serbë në Kosovë të mos marrin pjesë në procesin zgjedhor të 21 prill, ajo tha se ky është një presion i Serbisë dhe se serbëve në Kosovë po u mohohet e drejta e tyre.
"Qytetarët e komunave tona të kenë të drejtë të fillojnë procedurat për largimin e kryetarëve. Republika e Kosovës së bashku me aleatët kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme në mënyrë që qytetarëve të u ofrohet kjo e drejtë. Të mos u cenohet asnjë e drejtë dhe te realizojnë pa presione. Edhe kësaj radhe Aleksandër Vuçiq që nuk po e mban fjalën që e ka dhënë para aleatëve në takimet që kanë qenë edhe presidenti Macron, por edhe në takimet e tjera ku ai kishte garantuar që nuk do të bëjë presion paligjshëm ndaj serbëve që mos të marrin pjesë në një proces të tillë”, ka thënë Osmani.
Sipas saj, Serbia edhe një herë po e dëshmon këtë lloj presioni të paligjshëm të cilën e realizon nëpërmjet listës serbe.
“Unë besoj që aleatët tonë po e shohin me kujdes se si Serbia edhe një herë po ua mohon serbëve të Kosovës një të drejtë të cilën ata do të mund të realizonin në përputhje me ligjet dhe në përputhje me rregullativën tonë të kodifikuar në Udhëzimin administrativ dhe po e dëshmon edhe një herë që nuk është për paqe të qëndrueshme, nuk është për stabilitet. Ajo është vetëm për dhunë të cilën e ka zgjedhur si metodë për zgjidhjen e problemeve. Ne jemi të përkushtuar të vazhdojmë t’i mbrojmë të gjithë të drejtat e qytetarëve pa dallim, që serbët që jetojnë në Kosovë të shfrytëzojnë të drejtat që atyre u takojnë. Por, disa qytetarë po lejojnë që të mbahen peng nga ana e Vuçiqit", shtoi Osmani.
Osmani u ka bërë thirrje ndërkombëtare që të ndëshkojnë Vuçiqin i cili nuk po i mban fjalët të cilat i ka dhënë. Ajo theksoi se Serbia nuk ka të drejtë të ndërhyjë në Kosovë.