Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sot në Vatikan ka zhvilluar takim me Papa Françeskun.
Në rrjetin social Facebook, presidentja Osmani, shkruan se Papën e ka njoftuar me vendosmërinë e Kosovës për ta kultivuar e promovuar më tej paqen, harmoninë dhe bashkëjetesën ndërmjet njerëzve, si vlera të popullit, mbi të cilat janë kultivuar e ruajtur prej afro dy mijë vjetësh edhe raportet me Vatikanin.
“Në mënyrë të veçantë e falënderova Atin e Shenjtë për kujdesin që ai po tregon ndaj Kosovës dhe e falënderova për vendimin e tij të para pesë vjetëve, që Administratën Apostolike ta ngrinte në nivel të dioqezës. Ishte kënaqësi e veçantë po ashtu që të shkëmbeja me të pikëpamjet mbi orientimin euroatlantik të Kosovës dhe progresin e vendit tonë drejt këtij synimi”, shkruan Osmani.
Tutje, ajo shkruan se thellimi i mëtejmë i raporteve me Vatikanin dhe zgjerimi i bashkëpunimit në shumë fusha janë orientim i përbashkët.
“Synimi i Kosovës për njohje nga Vatikani kontribuon në këtë drejtim dhe në avancimin e mëtejmë të raporteve tona shekullore”, thekson Osmani.
Gjatë qëndrimit në Romë, presidentja Osmani, pritet të takohet edhe me presidentin e Italisë, Sergio Mattarella.