Osmani takon Stoltenbergun: Veriu i Kosovës mbetet pjesë e Republikës / Photo: AA

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është pritur në takim në selinë e NATO-s në Bruksel nga Sekretari i Përgjithshëm Jens Stoltenberg.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas takimit tha në konferencë për media se Kosova është sukses historik i NATO-s dhe se NATO-ja është fati i Kosovës, duke shtuar se ka forca keqdashëse që po duan ta sfidojnë dhe ta rrënojnë këtë lidhje.

Presidentja Osmani tha se nuk do të lejojnë që veriu i Kosovës të bëhet fushëbeteje për arritjen e synimeve të autokratëve rajonalë, ngase, sipas saj, Kosova dhe rajoni rrezikojnë të bëhen pika të ndezjes “për shkak të keqdashjes ruse dhe agjendës destabilizuese të duarve të zgjatura”.

“Veriu i Kosovës ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë pjesë përbërëse e Republikës së Kosovës. Nuk do të lejojmë që veriu i Kosovës të bëhet fushëbetejë për arritjen e ambicieve hegjemonistëve të autokratëve rajonalë. Ne jemi të përkushtuar dhe për të integruar komunitetin lokal duke i ruajtur të drejtat e tyre të garantuara me Kushtetutë, duke u ofruar po ashtu mundësi ekonomike për të prosperuar”, theksoi Osmani.

Ajo gjithashtu tha se Kosova i ofron NATO-s bashkëpunim të plotë për të sjellë para drejtësisë kryerësit e sulmeve ndaj pjesëtarëve të KFOR-it që ndodhën gjatë muajit maj në veri të Kosovës.

Gjithashtu, presidentja përmendi edhe ndërhyrjet e Serbisë që po ndikojnë në dorëheqjen nga Policia e Kosovës të zyrtarëve policorë nga komuniteti serb, gjë për të cilën tha se “presionet nga Serbia janë në rritje”.

Sekretari Stoltenberg tha se trupat e KFOR-it janë sulmuar gjatë këtij viti në veri të Kosovës duke lënë 93 të lënduar, prej tyre disa me lëndime serioze.

Ai tha se kjo është tërësisht e papranueshme ngase stabiliteti i rajonit bëhet nga të gjitha palët që respektojnë zotimet ekzistuese.

“Në reagim ndaj trazirave të fundit, NATO-ja ka zbarkuar qindra trupa shtesë në Kosovë dhe vazhdojmë ta monitorojmë situatën nga afër dhe qëndrojmë të gatshëm për të përmbushur mandatin tonë të OKB-së për një mjedis të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë”, theksoi Stoltenberg.

Stoltenberg tha se mirëpret hapat e fundit të ndërmarra nga Prishtina, duke përfshirë zvogëlimin e pranisë policore në veri dhe planit për zgjedhje të reja komunale.

“Është esenciale që të shmanget çfarëdo lloj eskalimi i mëtejmë dhe inkurajojmë të dyja palët që të veprojnë në përputhje me zotimet e tyre. NATO-ja mbështet fuqimisht dialogun e lehtësuar nga BE-ja midis Beogradit dhe Prishtinës dhe mirëpresim takimin e javës së ardhshme si e vetmja mënyrë për të zgjidhur çështjet e mbetura”, theksoi Stoltenberg.

Takimi i radhës i kryeministrit të Kosovës Albin Kurtit dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq do të zhvillohet më 14 shtator.

Kurti dhe Vuçiq janë takuar për herë të fundit më 2 maj, nëntë ditë pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme në veri të Kosovës, të cilat u bojkotuan nga serbët lokalë.

AA