Për katër vite rreth 8,85% e popullsisë lëshoi Kosovën / Photo: AA

Mes viteve 2018-2022, më shumë se 156 mijë banorë janë larguar nga Kosova, që në përqindje i bie 8,85% e popullsisë së vendit. Këto shifra i ka njoftuar Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës e cila gjithashtu ka vlerësuar nëse merret si bazë popullsia që jetonte jashtë vendit më 1 prill 2011 (703.978 banorë vlerësohet se jetonin jashtë vendit), në fund të vitit 2022 vlerësohet se mbi 949.719 banorë ose 53,89 % e popullsisë së Kosovës jetonte jashtë vendit.

“Bilanci i migrimit ndërkombëtar (migrimi neto) në Kosovë për vitin 2022 ishte – 30.889 banorë ose 1,75% e popullsisë rezidente. Për periudhën 2018-2022 vlerësohet se nga Kosova janë larguar 156.080 banorë ose rreth 8,85% e popullsisë së vendit”, thuhet në raportin e MPB-së, të titulluar “Migrimi 2018-2022”. Mes të tjerash, në raport theksohet se numri i shtetasve kosovarë me leje qëndrimu për herë të parë në vendet anëtare të BE-së dhe zonës Schengen, ka vazhduar të rritet.

Vendet anëtare të BE-së dhe zonës Shengen gjatë kësaj periudhe kanë lëshuar rreth 71.240 leje qëndrimi për shtetasit kosovarë.

“Kërkesat e përgjithshme për viza Schengen nga shtetasit kosovarë në misionet diplomatike dhe konsullore të shteteve anëtare të BE-së dhe në zonën Schengen, të akredituara në Republikën e Kosovës dhe vendet e rajonit, gjatë periudhës 2018-2022, ka shënuar rritje prej rreth 16,2%, krahasuar me periudhën e kaluar. Nga numri i përgjithshëm i kërkesave për viza Schengen, 84% ishin pozitive, ndërsa 16% u refuzuan”, bëhet e ditur në raport.

Në vitin 2022, siç thuhet në raport nga shtetësia e Republikës së Kosovës kanë hequr dorë 4.792 persona, kurse 62 janë refuzuar për mosplotësimin e kritereve ligjore.

Numri i përgjithshëm i urdhërlargimeve të shtetasve kosovarë nga shtetet anëtare të BE-së dhe zonës Shengen në vitin 2022 sipas shteteve u regjistruan në: Francë 1.175, Slloveni 935, Kroaci 560, Zvicra 290, Italia 270 dhe shtete të tjera 1.025.

Tendenca e rritjes së këtyre shifrave pritet të jetë edhe më e theksuar pas liberalizimit të vizave për shtetasit kosovarë.


TRT Balkan