Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti ndaras kanë pritur në takim një delegacion të lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit, të udhëhequr nga zyrtari i lartë Derek Chollet.
Siç njoftoi presidenca e Kosovës pas këtij takimi, Osmani dhe Chollet kanë konfirmuar marrëdhëniet e shkëlqyera të Kosovës me ShBA-në si aleatin kryesor të Kosovës, si dhe janë angazhuar për fuqizimin e mëtejmë të bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve.
Osmani e ka falënderuar Cholletin për angazhimin proaktiv të ShBA-së në procesin e dialogut Kosovë-Serbi, duke theksuar se angazhimi i shtuar amerikan në këtë drejtim është vendimtar për të siguruar rezultat të suksesshëm në dobi të qytetarëve.
Osmani tha se marrëveshja përfundimtare, e cila duhet ta ketë në qendër njohjen e ndërsjellë, ka për qëllim përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe arritjen e paqes së qëndrueshme dhe afatgjate në rajon.
“Kosova është e gatshme të vazhdojë, me përkushtim të plotë, të jetë palë konstruktive, e koordinuar me ShBA-në, duke bërë propozime që kontribuojnë në arritjen e një marrëveshjeje të tillë”, tha presidentja Osmani.
Osmani dhe Chollet biseduan edhe për zhvillimet e fundit në vend dhe rajon, duke potencuar aleancën dhe afërsinë e theksuar të Serbisë me Rusinë dhe rreziqet që paraqet ky raport jo vetëm për Kosovën, por edhe për aleancën euroatlantike. Këtu Osmani theksoi se, me mbështetjen e Rusisë, Serbia vazhdon të jetë forcë destabilizuese dhe kërcënim për paqe të qëndrueshme në rajon.
Kryeministri Kurti e falënderoi Këshilltarin e Lartë Chollet për vizitën, komunikimin e vazhdueshëm dhe për angazhimin e tij, teksa nënvizoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) janë partner dhe aleat i domosdoshëm i Republikës së Kosovës, ndërsa vuri theksin te synimet e vendit për partneritet edhe më të fuqishëm me ShBA-në dhe integrim në NATO.
“U diskutua edhe për procesin e dialogut, planin evropian dhe për raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. U theksua nevoja për angazhim aktiv dhe konstruktiv në dialog dhe për intensifikim të përpjekjeve drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me njohjen reciproke në qendër”, thuhet në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit Kurti.
Në takim Chollet ishte i shoqëruar nga dërguari i posaçëm amerikan, Ndihmëssekretari i Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Gabriel Escobar.
Gjatë ditës së nesërme Chollet do të qëndrojë për vizitë zyrtare në Serbi.