Përkujtohet 24-vjetori i masakrës së Reçakut / Foto: AA

Me ceremoni shtetërore u përkujtua sot 15 janari i vitit 1999, kur 45 civilë shqiptarë u masakruan nga forcat serbe në Reçak të Kosovës. Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani tha se ky krim kundër njerëzimit e bëri të pashmangshme ndërhyrjen ndërkombëtare që pasoi në mars të vitit 1999. "Krimet e kryera në Reçak i dëshmuan botës për tragjedinë që po e përjetonin shqiptarët, duke e bërë të pashmangshme ndërhyrjen e botës demokratike për të ndalur këtë makineri vrastare. Kodra e Bebushit u shndërrua në vendin në të cilin krimet kundër njerëzimit nuk mund të fshiheshin më nga makineria Millosheviqiane”, tha presidentja Osmani. Kryeministri Albin Kurti theksoi se Prokuroria Speciale ka lëshuar fletarreste ndërkombëtare ndaj 18 personave të dyshuar për pjesëmarrjë në masakrën e Reçakut. Ai tha se, me mohimin e këtij gjenocidi, Serbia ëndërron përsëritjen e tij. “Ata të cilët e mohojnë gjenocidin, ata ëndërrojnë për përsëritjen e tij. Por, një krim kundër njerëzimit, e një gjenocid si ai që kryen forcat e Serbisë në Reçak me 15 janar nuk mund të fshihet, nuk mund të mjegullohet dhe nuk mund të amnistohet”, deklaroi kryeministri Kurti. Në përkujtimin e viktimave në Reçak mori pjesë edhe ish-ambasadori i OSBE-së, William Walker, i cili kishte vizituar vendin e masakrës një ditë pas ndodhisë makabre. Ai luajti rol të rëndësishëm për t'i treguar botës të vërtetën për ndodhitë në Kosovë, ndërsa masakrën e cilësoi si krim kundër njerëzimit. Pas rrethimit të Reçakut nga policia, ushtria dhe forcat paramilitare serbe në janar të vitit 1999 u masakruan 45 civilë shqiptarë të pambrojtur, në mesin e të cilëve ishte edhe një grua.

AA