Pas Mitrovicës së Veriut dhe Leposaviqit, këtë të premte grumbullimi i nënshkrimeve për shkarkimin e kryetarëve të komunave nga radhët e komunitetit shqiptar në veri të Kosovës nisi edhe në komunat Zveçan dhe Zubin Potok.
Afati për qytetarët e Zveçanit është më i gjatë se data 22 janar kur procesi mbyllet për qytetarët e Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit dhe Zubin Potokut. Kërkesa për listën me numrin e saktë të votuesve të regjistruar në këtë komunë është dorëzuar më vonë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).
Darko Vukashinoviq, iniciator i peticionit në këtë Komunë, ka ftuar qytetarët të dalin në numër sa më të madh për ta larguar, siç e quajti ai, uzurpatorin nga Komuna.
Ndryshe, kryetarët në katër komunat në veri të Kosovës, që banohen me shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – janë shqiptarë, pasi partitë serbe bojkotuan zgjedhjet lokale të vitit të kaluar.
Në mënyrë që peticioni të jetë i suksesshëm, duhet të mblidhen të paktën 20 për qind e nënshkrimeve nga numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar në zgjedhjet e fundit.