Një pjesëtar i Policisë së Kosovës ka përfunduar me lëndime të lehta si pasojë e një sulmi që ka ndodhur ndaj njësive policore të Kosovës në fshatin Serbovc të Komunës së Zveçanit.
Siç njofton Policia e Kosovës, zyrtarët policorë janë sulmuar nga “persona të armatosur me armë të gjata, nga një automjet i tipit Audi, ngjyrë hiri, me targa KM”.
"Si pasojë e incidentit, një pjesëtar i Policisë së Kosovës është lënduar lehtë dhe janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale në veturën e policisë. Njësitet relevante policore kanë dalë në vendngjarje për të kryer hetimet, kurse zyrtari policor i lënduar është transportuar në Qendrën Komunale të Mjekësisë Familjare (QKMF) për ofrimin e ndihmës mjekësore", thuhet në njoftim.
Sulmi ndodhi rreth 2 orë pasi Policia e Kosovës rriti praninë në komunat e veriut të vendit, me shumicë të komunitetit serb.
Që nga 6 dhjetori, Policia e Kosovës në komunat veriore të banuar me shumicë serbe është përballur me sulme nga persona të cilët ende po hetohen nga institucionet vendase.
Policia e Kosovës konfirmoi se më 6 dhjetor ka pasur disa incidente në kohën kur zyrtarët policorë po i shoqëronin autoritetet zgjedhore në Mitrovicë të Veriut dhe Zubin Potok të cilët kishin shkuar atje për fazën përgatitore para mbajtjes së zgjedhjeve të 18 dhjetorit në katër komunat veriore. Në incidentet e regjistruara janë përdorur shok-bomba, granata dore dhe armë zjarri, të cilat rezultuan pa incidente në njerëz, por me demolim të zyrave të komisionit komunal zgjedhor.
Deri te zgjedhjet në katër komunat me shumicë serbe erdhi pas dorëheqjes së zyrtarëve të partisë më të madhe serbe në Kosovë, Listës Serbe, nga institucionet kosovare, përfshirë Policinë, gjyqësorin, prokurorinë, Kuvendin e Kosovës dhe pozitat e kryetarëve të komunave, si reagim ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat ilegale që qarkullojnë ende në territorin e Kosovës.
Krerët e shtetit, presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti i kanë quajtur veprimet në veri si të orkestruara nga Serbia. Madje, presidentja Osmani tha se sa herë që Kosova dhe Serbia janë afër një marrëveshje finale, Serbia tenton të krijojë kriza në veri të Kosovës duke përdorur serbët lokalë.