Policia e Kosovës arreston një tjetër të dyshuar për sulm ndaj KFOR-it / Foto: AA Arkiv

Policia e Kosovës ka arrestuar të dyshuarin N.O. (i komunitetit serb), me vendbanim në Mitrovicë të Veriut i njohur me nofkat "Nemac" dhe "Rusi", për përfshirje në rast të sulmit dhe rrezikimit të personave nën mbrojtje ndërkombëtare – KFOR-it.

Në njoftimin për media të Policisë, bëhet e ditur se arrestimi i tij dhe shoqërimi në stacion policor është kryer pas sigurimit të dëshmive, se i njëjti është përfshirë në sulm ndaj KFOR-it me datën 29 qershor 2023, ku "si pasojë e sulmeve dhe dhunës së shfaqur dhjetëra pjesëtarë të KFOR-it kanë pësuar lëndime trupore".

Policia bëri të ditur se të gjitha veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë.

"Policia e Kosovës do të vazhdojë angazhimin dhe përkushtimin e saj për ruajtje të rendit dhe sigurisë publike, për sundim të ligjit dhe sjelljen para organeve të drejtësisë së personave të dyshuar që bien në kundërshtim me rendin dhe ligjin", përfundon policia.

Në protestat të cilat filluan nga 26 maji në komunat veriore me shumicë serbe në Kosovë u lënduan 30 pjesëtarë të Misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR).

AA