Policia e Kosovës: Sekuestruam municion që mund të përdorej për sulme / Photo: Policia e Kosovës / Facebook

Policia e Kosovës ka njoftuar se në veri të Mitrovicës ka sekuestruar mjete të rrezikshme që do të mund të përdoreshin për sulme ndaj policisë duke rrezikuar jetën e policëve dhe të qytetarëve.

Aksioni policor, siç njoftuan autoritet kosovare, është realizuar në orët e hershme të mëngjesit pas pranimit të informacioneve të rëndësishme nga qytetarët lidhur me fshehjen e disa gjërave (pajisjeve të rrezikshme) që mund të rrezikojnë jetën e qytetarëve ose që paraqesin rrezik potencial për përdorim të tyre edhe ndaj personelit policor. “Njësitet kompetente policore bazuar në informacione relevante pranuar nga qytetarët kanë ndërmarrë veprime të menjëhershme hetimore dhe operative, me ç’rast në Lagjen e Boshnjakëve në Veri të Mitrovicës kanë realizuar një operacion kontrolli dhe aty kanë gjetur tela gjembore të improvizuar (iriqë), bomba tymosëse, municion dhe një uniforme”, njoftoi Policia e Kosovës.

Në këtë aksion njoftohet se uniforma e getur është e ngjashme me uniformat që janë përdorur nga grupi terrorist në Banjskë të Zveçanit në shtator të këtij viti.

“Veprimi policor operacional në terren ende po vazhdon me qëllim të identifikimit të mjeteve të tjera të dyshuara në menyrë që të parandalohet rreziku nga ato, i qytetarëve ose të parandalohet ndonjë sulm ndaj Policisë së Kosovës që po punon për ruajtjen e rendit dhe garantimin e sigurisë”, njofton Policia e Kosovës.

Policia e Kosovë theksoi se me zyrtarët e saj dhe në bashkëpunim me qytetarët po punon në vazhdimësi me përkushtim dhe profesionalizëm në ruajtjen e rendit dhe garantimit të sigurisë së përgjithshme në gjithë territorin e vendit.

Ditë më parë Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla njoftuan se grupe terrosite në krye me Millan Radojçiqim në afërsi të kufirit me Kosovën po bëjnë plane për sulme që kanë për qëllim destabilizimin e situatës.


TRT Balkan