Policia e Kosovës: Situata në veri e brishtë, por e qetë / Foto: Reuters

Protestat në tri komunat në veri të Kosovës: Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan po vazhdojnë edhe sot pranë objekteve komunale. Policia e Kosovës e vlerëson situatën të jetë e brishtë, por e qetë aktualisht.

“Policia e Kosovës, sipas detyrës zyrtare, po vazhdon me angazhime në ofrimin e sigurisë dhe mbarëvajtjen e protestave, si dhe po bashkëpunon/koordinon aktivitetet me KFOR-in dhe institucionet relevante. Njëkohësisht njësitet policore janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore lidhur me rastet dhe zhvillimet e djeshme”, thotë Policia e Kosovës në një komunikatë.

Policia thotë se dhuna ekstreme dje ka bërë që situata në aspektin e sigurisë në veri të vendit të përshkallëzohet dhe të degradojë deri në rrezikim të jetës së njerëzve, përfshirë jetën e zyrtarëve të institucioneve të sigurisë.

Dhjetëra pjesëtarë të KFOR-it u lënduan dje gjatë protestave të dhunshme në Zveçan, ndërsa janë arrestuar disa protestues. Protestat nisën për të ndaluar kryetarët e rinj të komunave në veri, të cilët filluan mandatin javën e kaluar, pas fitores në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale në komunat serbe të bojkotuara nga serbët lokalë.

TRT Balkan