Policia e Kosovës: Situata në veri të Kosovës është stabile.     Foto: Policia e Kosovës 

Policia e Kosovës me qëllim të informimit të drejtë të opinionit publik lidhur me zhvillimet e fundit në komunat e veriut të vendit njofton se publikimet e shkrimeve të cilat u referohen deklarimeve nga përfaqësues të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë janë të pavërteta dhe tendencioze.

Sipas policisë së Kosovës, këto deklarime nga zyra serbe kanë për qëllim dëmtimin dhe krijimin e narrativave nëpërmjet të cilave atakohet profesionalizmi, legjitimiteti dhe misioni kushtetues i PK-së për rend dhe ligj në tërë territorin e Republikës së Kosovës.

“Grupet kriminale duke kryer veprime të kundërligjshme nëpërmjet të cilave cenojnë lirinë dhe sigurinë e qytetarëve tentojnë t’ua atribuojnë këto veprime njësive të rregullta të PK-së të cilat janë duke kryer detyrat e tyre me shumë përgjegjësi”, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës.

Ashtu siç potencohet në komunikatë, njësitë policore të rendit publik u kanë ndihmuar zyrtarëve të Komisionit Komunal Zgjedhor në zyrat e Komisionit Komunal Zgjedhor, të cilat ndodhen në komunat Zubin Potok e Mitrovicë Veri me qëllim të kryerjes së detyrave dhe të kompetencave të tyre ligjore.

“Të gjitha veprimet policore janë kryer në pajtim me ligjin në ofrimin e asistencës së kërkuar ndaj autoriteteve shtetërore të KQZ-së”, thuhet më tej në komunikatë.

Referuar gjendjes në teren Policia e Kosovës njofton se dëmtime të zyrave të komisionit zgjedhor komunal në veri të Mitrovicës janë bërë nga persona/grupe të dyshuar/a të maskuar, të dhunshëm të cilët kanë përdorur mjete të rrezikshme, përfshirë granata dore të prodhimit jugosllav.

“Policia e Kosovës dhe KFOR-i (njësitet kompetente për deminim-EOD) janë duke ekzaminuar vendin e ngjarjes, për pastrimin e zonës, përderisa PK-ja është duke punuar me intensitet të lartë për identifikimin e këtyre personave të dyshuar dhe zhvillimin e hetimeve profesionale për sjelljen e kryerësve të këtyre veprave penale para organeve të drejtësisë”, thotë Policia e Kosovës.

Për momentin, organet policore garantojnë se situata e sigurisë në vend përfshirë edhe komunat në veri të vendit është stabile, ndërsa ftojnë të gjithë qytetarët të jenë të qetë, të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës, si dhe të mos bien pre e dezinformimit dhe të deklarimeve tendencioze e të pavërteta.

“Policia e Kosovës do të vazhdojë angazhimin e saj në realizimin e detyrave policore në shërbim të qytetarëve të vendit, komuniteteve pa dallim dhe ofrimin e sigurisë së përgjithshme në gjithë territorin e vendit”, përfundon komunikata.

TRT Balkan