Përderisa protestat e serbëve lokalë në komunat me shumicë serbe në Kosovë po vazhdojnë edhe sot, Policia e Kosovës njofton se edhe ajo po vazhdon të bëjë punën e saj për ruajtjen e rendit dhe të qetësisë publike.
Në një komunikatë për media, policia thotë se janë në koordimin me KFOR-in në angazhimet për zbatimin e rendit dhe të sigurisë në Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.
“Policia e Kosovës, në bashkëpunim me KFOR-in dhe institucionet relevante, po vazhdon me angazhimet policore në zbatimin e rendit dhe sigurisë publike, ofrimin e sigurisë ndaj qytetarëve, sigurimin e lirisë së lëvizjes së lirë si dhe ndërmarrjen e masave policore konform situatës dhe zhvillimeve në komunat Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok, ku edhe sot po vazhdojnë protestat”, thuhet në kumtesë.
Policia e Kosovës thotë se do të vazhdojë angazhimin dhe përkushtimin e saj në ofrimin e sigurisë ndaj të gjithë qytetarëve pa dallim dhe fton qytetarët që të kenë vëmendje dhe kujdes të shtuar, që të protestojnë në mënyrë të qetë dhe të mos bien pre e provokimeve të mundshme, të çfarëdo natyre qofshin ato.