Presidentja Osmani takoi homologun gjerman Steinmeier / Foto: AA

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në ditën e dytë të vizitës së punës në Gjermani ka takuar presidentin e Republikës Federale të Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier.

Siç njofton Zyra e Presidentes së Kosovës, Osmani dhe Steinmeier diskutuan me fokus thellimin e marrëdhënieve dypalëshe, zhvillimet aktuale në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor, si dhe avancimin e integrimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Me këtë rast, presidentja Osmani shprehu vlerësimin e thellë për mbështetjen e Gjermanisë për Kosovën në procesin e lirisë dhe shtetndërtimit, por edhe në rrugën euroatlantike.

"Kosova dhe Gjermania kanë një partneritet të fortë dhe të qëndrueshëm të bazuar në vlerat e përbashkëta të demokracisë, paqes dhe progresit. Gjermania është aleate strategjike në rrugëtimin e Kosovës drejt fuqizimit dhe integrimit ndërkombëtar, ndaj presim që ta forcojmë edhe më tej këtë partneritet në vitet në vijim", theksoi Osmani.

Procesin e Berlinit, presidentja Osmani e ka cilësuar shtysë e fuqishme për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, derisa në këtë kontekst, ritheksoi mbështetjen e plotë për marrëveshjet e dala nga ky proces.

Në takim me homologun Steinmeier, presidentja Osmani ka potencuar rolin dhe kontributin e mërgatës shqiptare në Gjermani, e cila sipas saj "është urë e fuqishme" për raportet ndërmjet dy shteteve.

Të dy presidentët diskutuan gjithashtu dhe potencialin për zgjerimin e bashkëpunimit në fusha të interesit të dyanshëm.

AA