Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, vizitoi komunën e vetme turke në Kosovë, Mamushën.
Në vizitën e saj, presidenten Osmani e shoqëruan ministri i Zhvillimit Rajonal të Kosovës dhe njëherësh edhe kryetari i Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP), Fikrim Damka, si dhe deputetët e KDTP-së Fidan Brina Jılta dhe Enis Kervan.
Osmani, pas takimit të saj me kryetarin e komunës së Mamushës, Abdülhadi Krasniç, në deklaratën për gazetarët tha se qytetarët e Mamushës janë shembull për t'u ndjekur.
"Mamusha është shembull që duhet të ndiqet çdo kund në Republikën e Kosovës se si interesat i kemi të përbashkëta, sfidat i kemi të përbashkëta dhe vetëm kur ecim bashkë mund të arrijmë sukses në ballafaqimin me to", tha ajo.
Duke folur rreth zhvillimeve të fundit në veri të vendit, Osmani tha se:
"Dua që t'i bëj thirrje të gjithë qytetarëve të komunitetit serb që jetojnë në veri që mos të bien pre e propagandës ruso-serbe. Institucionet e Kosovës kanë vetëm një qëllim: Që të gjithë qytetarët të jenë barabartë, të gjithë qytetarët të trajtohen njësoj para ligjit dhe atyre t'u sigurohet një jetë e qetë e sigurt dhe e barabartë në Republikën e Kosovës. Prandaj natyrisht e kanë edhe këtë mundësi të jashtëzakonshme që pa shpenzime të ndryshojnë targat, t'i largojnë ato të kohës së Milosheviçit dhe t'i pranojnë, t'i vendosin ato që njihen nga ligjet e Republikës së Kosovës. Për fat të keq ata çdo ditë kërcënohen nga struktura kriminale, nga banda kriminale. Policia jonë do të jetë aty për t'i mbrojtur. Ata asnjëherë nuk janë kërcënuar as nuk do të kërcënohen nga ne. Ne jemi aty për t'i mbrojtur të gjithë pa dallim".
Kryetari i Komunës, Krasniçi, nga ana tjetër tha se me presidenten Osmani kanë folur lidhur me zgjidhjet për problemet që banorët e Mamushës i përjetojnë.
"Kërkuam mbështetjen e presidentes rreth problemit më të madh të Komunës së Mamushës, që është uji i pijshëm. E informuam rreth gjendjes aktuale si dhe morëm përkrahje për zgjidhjen e këtij problemi", tha ai.
Osmani gjatë vizitës së saj në Mamushë gjithashtu vizitoi edhe kurset profesionale të mbështetura nga Instituti "Yunus Emre" në bashkëpunim me UN Women, duke u informuar rreth kurseve nga drejtori i Institutit në Kosovë, Mehmet Ülker. Presidentja Osmani gjithashtu i takoi fermerët në këtë qytet.
6 Sht 2022
AA
Lajme të ngjashme
Artikujt në këtë kategori
Monumenti i simbol i pavarësisë së Kosovës "NEWBORN" merr pamje të re
"E pëlqeve apo e urreve, e deshe apo ia pate frikën, Inteligjenca Artificiale është këtu, edhe çdo ditë e më shumë po bëhet pjesë e pashmangshme e jetëve tona", ka thënë Ismaili për dizajnin e këtij viti të monumentit të pavarësisë.
Çfarë tjetër do të donit të dinit?
Popullore
Gjykata Speciale kufizon kontaktet për Thaçin, Veselin dhe Selimin
Ky vendim, siç njofton Gjykata Speciale, vjen si përgjigje ndaj përpjekjeve për të ndërhyrë te dëshmitarët e për të penguar dëshmitë e tyre, dhe kërcënimeve të mëtejshme ndaj integritetit të procesit në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerët.