Këshilli organizativ i Kuvendit Kombëtar Shqiptar për Kosovën dhe Unioni Shqiptar i Shoqërisë Civile në bashkëpunim me qytetarë protestuan sot kundër politikave serbe ndaj vendbanimeve shqiptare në Medvegjë, Bujanoc e Preshevë. Protesta ka nisur nga sheshi “Zahir Pajaziti” deri te Teatri Kombëtar i Kosovës në Prishtinë.
Kryetari i Unionit Shqiptar Dashamir Uruqi dhe koordinatorja e Kuvendit Kombëtar Shqiptar Linda Shaqiri thanë se nga viti 2011 është duke u zhvilluar spastrimi etnik në këto tri komuna. Në protestë u potencua se këto komuna në shëndetësi nuk ka asnjë shqiptar të punësuar dhe Lugina ka nevojë për ndihmë të gjithanshme morale e ekonomike.
“Na ka bashkuar në këtë tubim fati i Luginës. Janë shkelur në mënyrë të vazhdueshme liritë dhe të drejtat themelore të njeriut, të drejtat kombëtare dhe njerëzore të shqiptarëve… Problemi kryesor qëndron tek trajtimi i shqiptarëve në Serbi, në të gjitha fushat. Në sektorin e shëndetësisë situata është shumë e rëndë, në Preshevë ku jetojnë 90% shqiptarë drejtori i shtëpisë së shëndetit është serb, në spitalin rajonal të Vranjës ku rreth 40% të pacientëve janë shqiptarë nuk ka mjekë, motër medicinale e as mirëmbajtëse shqiptare”, tha Uruqi.
Uruqi rekomandoi që në të gjitha bisedimet e ardhshme Kosovë-Serbi të vihen në tryezën e bisedimeve të drejtat dhe liritë themelore të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Protestuesit paralajmëruan një protestë paqësore edhe në Shqipëri, për të kërkuar angazhim më të madh nga qeveria e Shqipërisë dhe kryeministri Edi Rama për Luginën.