Nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme në Kosovë u rikthyen sot në bankat shkollore. Pushimi i zgjatur veror mori fund me suspendimin e grevës pesëjavore të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, të Shkencës dhe të Kulturës (SBAShK). Me vendimin e së shtunës, SBAShK-u pezulloi grevën deri në janar të vitit të ardhshëm, ndërkohë që do të vazhdojë bisedimet me Ministrinë e Arsimit dhe me Qeverinë lidhur me kërkesat e tyre.
Kryetari i Këshillit Grevist të sindikatave dhe njëherësh kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, i ka bërë thirrje Qeverisë që këta tre muaj t’i shfrytëzojë për dialog me sindikalistët.
“Urojmë që kjo kohë të shfrytëzohet nga Qeveria për dialog, sepse janari i vitit 2023 vjen shpejt, por nuk është mirë të ndodhë sërish grevë si kjo”, deklaroi Jasharaj të shtunën.
Kërkesat e arsimtarëve
Kriza ekonomike ka goditur të gjitha klasat shoqërore në Kosovë dhe rajon. Sindikalistët pretendojnë se pagat e arsimtarëve, edhe ashtu të ulëta, janë zhvlerësuar edhe më tej me inflacionin e këtij viti, si pasojë e krizës ekonomike. Sindikata kërkon shtesë mbi pagë në vlerën e 100 eurove deri në hyrjen në fuqi të Ligjit të ri të pagave.
Kërkesë tjetër është ndryshimi i Ligjit të Skemave Pensionale të financuara nga shteti. Arsimtarët kërkojnë eliminimin e kërkesës prej 15 viteve kontribut para vitit 1999 për të fituar të drejtë pensioni.
Kërkesa e tretë e Sindikatës është miratimi i plotësimeve dhe ndryshimeve të Ligjit të Sigurimeve Shëndetësore.
Qeveria ka ofruar rritje të pagave për 50 euro dhe përfshirjen e Sindikatës në debatin publik për hartimin e Ligjit të ri të pagave. Projektligji për pagat është në debat publik nga 15 shtatori deri më 6 tetor.
Çfarë ndodh me mësimin e humbur?
Një tjetër çarje mes Qeverisë dhe sindikalistëve është çështja e orëve të humbura si pasojë e grevës 5-javëshe të mësimdhënësve. Ministrja e Arsimit dhe e Shkencës Arbërie Nagavci paralajmëroi kompensim të orëve të humbura.
“Kalendari i vitit shkollor duhet të ndryshohet, andaj menjëherë të hënën, 3 tetor, do të formojmë grupin punues për të rishikuar këtë Udhëzim Administrativ”, tha Nagavci të dielën.
Por, kryetari i SBAShK-ut Rrahman Jasharaj tha se kontrata kolektive parashikon që orët e humbura gjatë grevës nuk kompensohen.
“Ashtu siç e parasheh Kontrata Kolektive, nuk do të kompensohen orët e humbura. Andaj, edhe i kërkoj Ministrisë së Arsimit që të mos bëjë kërkesa”, tha Jasharaj.
Shkollat gati për fillimin e mësimit
Të gjitha shkollat e Kosovës janë pajisur me librat shkollorë në kohë, sipas kërkesave të drejtorive komunale të arsimit, njoftoi Ministria e Arsimit në Kosovë. Deri tani nuk është shpërndarë vetëm teksti i Gjuhës Shqipe për klasën e pestë, tekst i hartuar këtë vit. Por, edhe furnizimi me këtë tekst, sipas Ministrisë, duhet të përfundojë brenda javës.
Sipas raportimeve, në institucionet arsimore parauniversitare në Kosovë sot fillojnë vitin e ri shkollor mbi 300 mijë nxënës gjithsej.
Nuk ka paga për grevistët
Ndërkohë Qeveria e Kosovës refuzon të paguajë mësimdhënësit grevistë për periudhën kur ishin në grevë. Ministria e Financave nuk ka alokuar as sot deri në orën 16:00 pagat për grevistët.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu ka thënë për KosovaPress se pagat në sektorin publik janë ekzekutuar për zyrtarët që kanë dalë në punë, ndërsa për mospagesën e grevsitëve është thirrur në ligjin për greva.
“Për muajin shtator, pagesat në sektorin publik janë ekzekutuar për zyrtarët të cilët kanë dalë në punë dhe kanë kryer detyrat dhe përgjegjësitë e tyre. Paga mujore është kompensim për punë. Në raste të grevave, kjo çështje përcaktohet në ligjin për Greva”, theksoi ai.
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) e ka dënuar mos ekzekutimin e pagave për grevistët. Ehat Miftaraj nga IKD thotë se kjo është në kundërshtim me ligjin.
“Është persekutim ndaj grevistëve. Përndryshe, secili grevist që paraqet Padi në gjykatë, përveç pagës, pastaj do të kompensohet edhe me shpenzimet e avokatit dhe kamatën ligjore. Me fjalë tjera, nga një pagë që mund të jetë 480 euro për një muaj, shteti do të paguajë diku 1500 euro. Në fund faturën e paguan taksapaguesi”, ka shkruar Miftaraj.
3 Tet 2022
Pushon greva, nxënësit në Kosovë u kthehen bankave shkollore
Viti shkollor në Kosovë parashihej të fillojë më 1 shtator, mirëpo fillimi i grevës nga SBAShK-u ndikoi që viti i ri shkollor të nisë sot pas një pauze katërjavore.
TRT Balkan / agjencitë
Lajme të ngjashme
Kurti: Dënim maksimal për vrasësit e Liridonës dhe 14-vjeçares në Shkup
Kurti po ashtu ka kujtuar se disa prej rasteve më të rënda gjatë luftës në Kosovë kanë qenë kur forcat serbe dhunuan vajza e gra dhe në shumë raste edhe në prani të familjarëve, për çka tha se kjo dukuri duhet të zhduket përgjithmonë.
Artikujt në këtë kategori
Monumenti i simbol i pavarësisë së Kosovës "NEWBORN" merr pamje të re
"E pëlqeve apo e urreve, e deshe apo ia pate frikën, Inteligjenca Artificiale është këtu, edhe çdo ditë e më shumë po bëhet pjesë e pashmangshme e jetëve tona", ka thënë Ismaili për dizajnin e këtij viti të monumentit të pavarësisë.
Çfarë tjetër do të donit të dinit?
Popullore
Gjykata Speciale kufizon kontaktet për Thaçin, Veselin dhe Selimin
Ky vendim, siç njofton Gjykata Speciale, vjen si përgjigje ndaj përpjekjeve për të ndërhyrë te dëshmitarët e për të penguar dëshmitë e tyre, dhe kërcënimeve të mëtejshme ndaj integritetit të procesit në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerët.