Qeveria e Kosovës miraton marrëveshjen për lëvizje me letërnjoftime me BeH / Photo: TRT Balkan

Qeveria e Kosovës ka miratuar marrëveshjen për lëvizje me letërnjoftime mes gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, e cila pasi të hyjë në fuqi do të mundësojë lëvizjen pa viza midis qytetarëve nga Kosova dhe atyre nga Bosnjë e Hercegovina.

Në mbledhjen e kabinetit qeveritar, kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se marrëveshja në fjalë është një nga tri marrëveshjet nga Procesi i Berlinit të nënshkruara më 3 nëntor të vitit 2022.

Këto tri marrëveshje përfshijnë marrëveshjen për lëvizje të lirë me letërnjoftime, për njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë dhe atë për njohjen e kualifikimeve profesionale të mjekëve të përgjithshëm, dentistëve dhe arkitektëve, të bazuara në rregullat e Bashkimit Evropian.

"Sot, pas procedurave të brendshme nga institucionet tona, i kemi sjellë në Qeveri e prej këtu do t'i çojmë në Kuvendin e Kosovës për ratifikim. Ratifikimi i shpejtë i tyre është tregues i përkushtimit dhe angazhimit tonë për bashkëpunim rajonal, marrëdhënie të mira fqinjësore dhe avancim drejt integrimit në Bashkimin Evropian", tha Kurti.

Ai tha se me aprovimin dhe zbatimin e këtyre tri marrëveshjeve, Kosova dhe i gjithë rajoni bëjnë një hap përpara drejt përfitimeve konkrete nga procesi i integrimit në BE.

Marrëveshja për lëvizje vetëm me letërnjoftime midis qytetarëve kosovarë dhe atyre boshnjakë ende nuk është miratuar nga autoritetet në Bosnjë e Hercegovinë. Qytetarët e BeH-së, e cila ende nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, dhe qytetarët kosovarë duhet të pajisen me vizë për të udhëtuar në shtetet përkatëse.

AA