Qeveria e Kosovës mori vendim për kthimin e tokës Manastirit të Deçanit / Photo: AA

Qeveria e Kosovës ka urdhëruar sot Agjencinë Kadastrale të Kosovës të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për kthimin e 24 hektarëve tokë Manastirit të Deçanit, sepse ky është kusht për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Në seancën e Qeverisë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se vendimi për regjistrimin e tokës së manastirit është marrë sepse është kusht për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Për të arritur një qëllim shumë më të madh që i detyrohemi shtetit dhe që na hap mundësi të paprecedentë, duhet të bëjmë me kujdes dhe përgjegjësi një hap përpara si shtet i pavarur dhe sovran. Prandaj, sot i kemi thënë Agjencisë Kadastrale të Kosovës ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, tha Kurti.

Kurti theksoi se Qeveria e Kosovës është përballur me dy opsione, ta përmbushë këtë kusht dhe që Kosova të pranohet në Këshillin e Evropës, ose të mbetet pa anëtarësim. Siç tha ai, vendimin për tokën e manastirit ende e konsideron të dëmshëm, por pranimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të ishte një fitore historike.

I dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili sot ka nisur një vizitë dyditore në Kosovë, ka përshëndetur vendimin e Qeverisë së Kosovës lidhur me manastirin e Deçanit.

“Vendimi i sotëm është shumë i rëndësishëm për manastirin. Ishte një hap i vështirë, por i domosdoshëm. Falënderojmë institucionet e Kosovës për këtë hap”, tha i dërguari amerikan pas takimit me presidenten e Kosovës Vjosa Osmani.

Partnerët ndërkombëtarë të Kosovës, ShBA-ja dhe BE-ja, vazhdimisht kanë përsëritur thirrjen drejtuar Qeverisë së Kosovës që të zbatojë plotësisht dhe urgjentisht regjistrimin ligjor të tokës së manastirit të Deçanit.

Në maj të vitit 2016, Gjykata Kushtetuese e Kosovës konfirmoi pronësinë e Manastirit të Deçanit, Kishës Ortodokse Serbe, mbi 24 hektarë tokë. Të gjitha qeveritë e mëparshme të Kosovës refuzuan ta zbatojnë atë vendim, duke e konsideruar atë një trashëgimi të dëmshme dhe politike të regjimit serb të Sllobodan Millosheviqit.

AA