Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për ndarjen e 254.562 eurove për pajisje me tekste mësimore në gjuhën shqipe për nxënësit shqiptarë që vijojnë mësimin në gjuhën shqipe në shkollat fillore në komunat shqiptare në Serbi: Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc për vitin shkollor 2023-2024.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se edhe vitin e kaluar janë ndarë mjete financiare me qëllim të pajisjes me tekste mësimore në gjuhën shqipe për nxënësit shqiptarë të shkollave fillore në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.
"Ndihma jonë për bashkëkombësit tanë është jo vetëm nevojë, por edhe obligim yni që të mbrojmë të drejtat e tyre elementare", theksoi Kurti.
Kabineti qeveritar miratoi këtë vendim me të gjitha votat pro, pa kundërshtime dhe as abstenime.
Kërkesa për ndarjen e këtyre mjeteve është bërë nga Këshilli Kombëtar Shqiptar, i cili edhe më herët ka kërkuar që komuniteti shqiptar në Serbi të ketë të drejta të njëjta që gëzon komuniteti serb në Kosovë.
Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë në Serbi, të mbajtur në vitin 2022, shqiptarët me mbi 61 mijë banorë janë pakica e katërt më e madhe në Serbi.