Sulmi i 24 shtatorit ishte sulm ndaj sovranitetit dhe i integritetit territorial të Republikës së Kosovës, vlerësoi kryeministri i Kosovës Albin Kurti, në fjalën e tij gjatë mbledhjes së sotme të Qeverisë. Sipas tij, armatimi i konfiskuar nga grupi që sulmoi Policinë e Kosovës e dëshmon potencialin, gatishmërinë dhe qëllimin e këtij aksioni.
“Të dielën është cenuar sovraniteti shtetëror, integriteti territorial dhe siguria kombëtare. Në këtë ditë është dëshmuar rreziku, qëllimi, potenciali dhe gatishmëria e grupeve kriminale dhe terroriste, të cilët i kemi luftuar për më shumë se dy vjet e gjysmë. Me mbi 5 milionë vlerë të armatimit ushtarak dhe sasi të mjaftueshme prej qindra luftëtarësh është dëshmuar skenari për gjakderdhje në Kosovë”.
Megjithatë, reagimi profesional i Policisë së Kosovës, sipas kryeministrit Kurti, ka prishur planet e grupit.
“Përballë kësaj është dëshmuar profesionalizmi i jashtëzakonshëm i Policisë së Kosovës, i institucioneve tona të sigurisë në përgjithësi. Është dëshmuar kapaciteti i tyre i plotë për të mbrojtur republikën. Ky është suksesi i tyre më i madh që prej shpalljes së pavarësisë. Kjo na bën krenarë të gjithë dhe secilin”, u shpreh Kurti.
Kryeministri i Kosovës përmendi përfshirjen e Millan Radojçiqit, i sanskionuar në listën e zezë nga ShBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar për aktivitete kriminale, si dhe në kërkim nga drejtësia e Kosovës. Pjesëmarrja e tij, sipas Kurtit, paralajmëron rolin e drejtpëdrejtë të shtetit serb në këtë mes.
Njëkohësisht, pas dokumentimit të pjesëmarrjes në këtë sulm terrorist të nënkryetarit të Listës Serbe Millan Radojçiq, Kurti thotë se është vërtetuar rëndësia jetike e ringjalljes së pluralizmit politik të serbëve në Kosovë.
“Nuk ka demokraci e liri pa pluralizëm. Serbët e Kosovës duhet të çlirohen nga tutelat e Serbisë”, tha Kurti.
Qeveria e Kosovës ndau sot 50 mijë euro për familjen e rreshterit Afrim Bunjaku, i cili humbi jetën në përleshje me grupin serb të dielën e 24 shtatorit.