Të gjitha gratë e mbijetuara të dhunës në familje do të mund të përfitojnë nga masa e re e Qeverisë së Kosovës në kuadër të së cilës 70 për qind e pagës së tyre do të subvencionohet nga Qeveria për gjashtë muaj.
Kjo masë e Punësimit për Gratë e Mbijetuara të Dhunës u lançua nga kryeministri Albin Kurti së bashku me ministren e Drejtësisë Albulena Haxhiu dhe ministrin e Financave, e Punës dhe e Transfereve, Hekuran Murati, në kuadër të fushatës "16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore".
Në lançimin e kësaj mase u tha se kjo kategori e grave nuk janë të punësuara dhe përballen me kushte të rënda financiare, derisa u bë e ditur se do të kujdesen për ruajtjen e konfidencialitetit të secilës grua.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se pavarësia ekonomike e grave është një shkallë e rëndësishme drejt zhvillimit dhe lirisë individuale, sikurse edhe sigurisë dhe mirëqenies.
Kurti u zotua se do të punojnë për të eliminuar pabarazitë sociale që pengojnë pavarësimin ekonomik të grave dhe vajzave në Kosovë
"Pasi që të fillojë punën, Ministria e Financave, e Punës dhe e Transfereve do të subvencionojë 70 për qind të pagës së të punësuarave për gjashtë muaj me radhë. Duke ju dhënë mundësinë për të punuar dhe një burim të të ardhurave atyre u jepet një shans i ri për të rimarrë kontrollin e jetës së tyre", theksoi Kurti.
Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu theksoi se lançimi i kësaj mase është aktiviteti më i rëndësishëm në kuadër të 16 ditëve të aktivizimit kundër dhunës mbi baza gjinore.
Haxhiu tha se të mbijetuarat e dhunës në familje për shkak të kushteve të rënda financiare detyrohen që të kthehen në vendin e krimit.
"Nga kontaktet në terren me to, apo nga strehimoret dhe databaza e Ministrisë, shumica e grave që janë të mbijetuara të dhunës në familje janë të papuna. Pra, sfida më e madhe e tyre është mungesa e një vendi të punës sikurse edhe strehimi", theksoi Haxhiu.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se subvencionimi me 70 për qind të pagës kap shifrat deri në 300 euro të subvencionimit ndërsa paga e tyre mund të shkojë edhe më lart. Në të ardhmen, ai shtoi se do të punohet që këto gra të jenë prioritet edhe në trajnime, programe e kurse për rritjen e shkathtësive të tyre.
Murati theksoi se në fillim të mandatit të qeverisë aktuale kanë qenë mbi 111 mijë gra të punësuara, ndërkaq, sipas tij, aktualisht janë të deklaruara mbi 142 mijë të punësuara.