Qytetarët e Kosovës vazhdojnë të largohen nga vendi i tyre     Foto:AA

Çdo vit e më tepër rritet numri i qytetarëve të cilët largohet nga Kosova. Emigirimi për në shtetet perëndimore nuk ka munguar as gjatë vitit 2021. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), vetëm gjatë vitit të kaluar nga Kosova, janë larguar mbi 42 mijë qytetarë.

Situata më e rëndë është regjistuar në Komunën e Gjilanit, ku sipas të dhënave të ASK-së, 4 mijë e 320 banorë janë larguar gjatë vitit 2021. Në kërkim të një jetë më të mirë, po ashtu janë larguar edhe shumë qytetar nga Prizreni, Prishtina, Vushtrria, Suhareka, Malisheva, Gjakova e Podujeva.

“Gjatë vitit 2021, popullsia e Kosovës pati një rritje natyrore për 14 391 persona. Është vlerësuar se gjatë këtij viti kanë: ndërruar vendbanimin (komunën) e tyre, 7 353 persona; imigruar (përfshi të kthyerit) në Kosovë, 4 122 persona dhe kanë emigruar 42 mijë e 728 persona”, thuhet në raportin e fundit të ASK-së.

Kurse, bilanci i migrimit ndërkombëtar (migrimi neto) për vitin 2021 ishte (-38 606 banorë). Ndërkaq, popullsia rezidente e Kosovës, për periudhën 01 janar – 31 dhjetor 2021, u zvogëlua për (-24 215 banorë).

Popullsia në Kosovë për vitin 2021 vlerësohet të jetë 1 milion e 773 mijë e 971 banorë rezidentë.

Ndryshe, në raportin e fundit të Barometrit të Ballkanik, thuhet se 67 për qind të rinjëve nga Ballkani Perëndimor e dëshirojnë emigrimin.
Sekretarja e Përgjithshme e Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC), Majlinda Bregu, gjatë prezantimit të këtyre të dhënave tha se këtë përqindje e përbëjnë të rinjë nga mosha 18 deri në 24 vjet. Kjo kategori sipas Bregut mendon për largim nga vendlindja për të gjetur punë në vendet e huaja.

TRT Balkan / agjencitë