Emigrimi i qytetarëve dhe i fuqisë punëtore të Kosovës vazhdon të jetë një ndër sfidat kryesore për institucionet dhe shoqërinë, sidomos në sektorin e shëndetësisë, thotë raporti i fundit i organizatës joqeveritare Grupi për Ballkan në Kosovë.
“Kërkesat e vendeve të zhvilluara për fuqi punëtore kanë rritur emigrimin e rregullt duke lehtësuar integrimin e mjekëve dhe punëtorëve shëndetësor emigrantë. Ky trend i migrimit kërkon rritjen e buxhetit për sektorin e shëndetësisë, për të siguruar paga më të larta dhe vende të reja të punës. Në mungesë të masave adekuate institucionale, situata mund të përkeqësohet pa një strategji efikase të menaxhimit”, thonë Grupi për Ballkan.
Secili punëtor shëndetësor që emigron për arsye të punës duhet të marrë një certifikatë mbi të kaluarën etike dhe profesionale, të cilën e lëshojnë odat e profesionistëve shëndetësorë. Sipas tyre, trendi i rritjes së kërkesës për t’u pajisur me certifikatë e etikës dhe profesionit, është tregues i numrit të mjekëve dhe i infermierëve që synojnë të emigrojnë.
“Sipas të dhënave të Odës së Mjekëve, nga viti 2018 deri në shtator të 2022 kjo odë ka lëshuar 666 certifikata të etikës dhe profesionit, dokument ky që kërkohet nga institucionet shëndetësore me rastin e punësimit të mjekëve dhe infermierëve jashtë Kosovës. Në vitin 2020, Oda e Mjekëve kishte lëshuar 105 certifikata për mjekët, ndërsa nga janari deri në shtator të vitit 2022 e njëjta ka lëshuar 183 certifikata. Ndërsa, Oda e Infermierëve të Kosovës ka lëshuar 140 certifikata për infermierët në vitin 2021. Nga janari deri në shtator të vitit 2022 ky numër është katërfishuar në 586 certifikata”, njofton Grupi për Ballkan.
Dallimi në paga për punëtorët shëndetësorë sipas kësa organizatës joqeveritare është një ndër faktorët kryesorë të lëvizjes së mjekëve brenda vendeve të BE-së dhe emigrimit nga vendet e treta.
Për të siguruar menaxhim efikas të trendeve të migrimit dhe për të parandaluar largimin e fuqisë punëtore në sektorin e shëndetësisë, institucionet e Kosovës, sipas Grupit për Ballkan, duhet të ndërmarrin hapa konkretë, përfshirë rritjen e buxhetit publik për shëndetësi si përqindje e BPV-së duke iu afruar mesatares së BE-së prej 9,9 për qind, rritjen e pagave për punëtorët shëndetësorë me qëllim që të jenë të përafërta me vendet e rajonit dhe të konkurrueshme me vendet e tjera evropiane.
“Ofrimi i bursave për specializim jashtë vendit, me kushtëzime që pas periudhës së specializimit mjekët të kthehen dhe të punojnë për një periudhë disavjeçare në institucionet publike. Punësimi i menjëhershëm i mjekëve të përgjithshëm pas përfundimit të studimeve me qëllim që të asistojnë për mjekët specialistë, kësisoj duke fituar përvojë dhe duke ndaluar emigrimin. Autoriteti Qeveritar për Migrim (AQM) duhet të avancojë të dhënat për profilin e migrimit, dhe të rriten kapacitetet e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK)”, janë disa nga rekomandimet të cilët i jep Grupi për Ballkan.
Kosova me numrin më të ulët të mjekëve
Krahasuar me vendet e tjera të Evropës, Kosova ka numrin më të ulët të mjekëve për 100.000 banorë, një ndër shkallët më të ulëta të shpenzimeve për shëndetësi si përqindje e Bruto Produktit Vendor (BPV), si dhe numrin më të ulët të pacientëve të trajtuar.
Për vitet 2019-2020, janë lëshuar 352 leje të punës për punëtorët shëndetësorë nga Kosova në Gjermani.
“Shumë nga kapacitetet ekzistuese spitalore, qoftë teknike a njerëzore, kanë mbetur të pashfrytëzuara për shkak të humbjes së besimit të pacientëve në sektorin publik. Kosovës i mungojnë të dhëna të sakta dhe një vlerësim gjithëpërfshirës i faktorëve kryesorë të emigrimit, që do të identifikonte problemet dhe zgjidhjet adekuate. 59% e qytetarëve të Kosovës do të jetonin jashtë vendit, prej të cilëve 56% janë në faza të përpjekjeve për largim”, thuhet në Raportin e Grupit për Ballkan.
Brenda vendeve të BE-së ka lëvizje të mëdha të mjekëve. Përfituesit më të mëdhenj nga lëvizjet e punëtorëve shëndetësorë janë vendet anëtare të Shoqatës Evropiane për Tregti të Lirë (EFTA), që përbëhet nga Islanda, Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Zvicra. Si pasojë e plakjes së popullsisë dhe rritjes së jetëgjatësisë, të gjitha vendet e tjera të BE-së janë në kërkim të punëtorëve shëndetësorë. Sipas një raporti, gjysma e vendeve anëtare të BE-së kanë mungesë të punëtorëve në sektorin e shëndetësisë dhe në shumicën e vendeve mjekët po i afrohen moshës së pensionimit.
Gjermania tërheqëse për mjekët nga Ballkani Perëndimor
Deri në vitin 2030, në të gjitha vendet e BE-së, kërkesat për profesionistë shëndetësorë do të rriten për dy arsye: për zëvendësimin e punëtorëve që dalin në pension dhe për zgjerimin e shërbimeve shëndetësore si pasojë e plakjes së popullsisë dhe rritjes së jetëgjatësisë.
Mungesën e punëtorëve shëndetësorë vendet e BE-së po e kompensojnë duke punësuar punëtorë nga vendet e tjera.
Një në dhjetë mjekë në vendet e BE-së në vitin 2017 ishte i/e lindur jashtë vendit. Në Irlandë, gjysma e mjekëve kanë lindur jashtë vendit; në Zvicër dhe Suedi, një në tre mjekë kanë lindur jashtë vendit; në Austri 5%, Itali 1% etj.
Dallimi në pagesa për punëtorët shëndetësorë është një ndër faktorët kryesorë të lëvizjes së mjekëve brenda vendeve të BE-së dhe emigrimit nga vendet e treta. Me rënien e kompensimeve për punëtorët shëndetësorë, viteve të fundit në Britani të Madhe, 4% e punonjësve në këtë sektor u larguan nga vendi. Por, duke marrë parasysh se pagat në këtë sektor janë sërish më të larta se në vendet e tjera, Britania ka arritur të kompensojë largimet duke pranuar punëtorë nga Italia, Greqia, Portugalia dhe vendet e tjera të Evropës Juglindore. Norvegjia dhe Suedia, për shkak të kompensimeve të larta për punëtorët shëndetësorë, janë vende atraktive për punëtorët që përbëjnë vendet e BE-së.
Zvicra, e cila paguan punëtorët shëndetësorë dy herë më shumë sesa vendet që përbëjnë BE-në, është atraktive për punëtorët shëndetësorë nga Gjermania, Franca, Italia dhe Austria; përderisa Norvegjia ka arritur të tërheqë punëtorët shëndetësorë nga Suedia, Danimarka, Spanja, Polonia, Lituania dhe Hungaria. Gjermania dhe vendet e tjera të BE-së tërheqin punëtorë shëndetësorë nga vendet e tjera të Evropës Qendrore dhe Juglindore, veçanërisht nga vendet e Ballkanit Perëndimor.