Plagosja e të rinjve 11 dhe 21 vjeçar në Shtërpcë sipas presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani është akt i patolerueshëm, ndaj autori duhet të vihet para drejtësisë. "Institucionet e Kosovës janë të përkushtuara maksimalisht që qytetarëve pa dallim etnie t`u ofrohet ambient i sigurt dhe i qetë", thonë nga presidenca. Incidenti i sontëm në qytezën e Shtërpcës në Kosovë, ku mbetën të plagosur dy pjesëtar të komunitetit ka ngjallur reagime të shumta në vend dhe më gjerë. Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ishte ndër të parët që e dënoi sulmin ndaj dy qytetarëve të Kosovës në Shtërpcë. "Thellësisht i brengosur për plagosjen e tyre. Sipas informatave, të rinjtë 11 dhe 21 vjeçar janë jashtë rrezikut për jetë dhe ju dëshiroj shërim të shpejtë. Policia e Kosovës veçse ka arrestuar të dyshuarin i cili pa asnjë mëdyshje duhet dhe do të përballet me organet e drejtësisë", shkruan Kurti në Facebook. Sipas tij, njësitet relevante do të vazhdojnë hetimet deri në zbardhjen e të gjitha rrethanave të këtij akti të papranueshëm dhe të dënueshëm. "Dua të siguroj të gjithë qytetarët se Policia e Kosovës është e angazhuar maksimalisht në kryerjen e detyrave të saj me qëllim të mbrojtjes së jetës dhe pronës së të gjithëve pa dallim", thotë Kurti.
Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj, shprehi keqardhje për ngjarjen dhe njoftoi se në këtë rast është përfshirë një pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës.
"Me rastin janë duke u marrë organet e sigurisë dhe drejtësisë. I njëjti do ta trajtohet edhe sipas rregulloreve dhe ligjeve që kemi në fuqi në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë", tha Mehaj, i cili theksoi se raste të tilla nuk guxojnë të ndodhin.
Komisioneri i BE-së, Oliver Varhelyi, pas ngjarje në Twitter shkroi se është i shokuar pas sulmit ndaj dy fëmijëve në Shtërpc.
"Nuk ka arsyetim për asnjë dhunë. Ju dëshiroj shërim të shpejtë. Besoj se autoritet e Kosovës do të zhvillojnë hetime të plota", shkruan Varhelyi.
Ndryshe, siç njoftuan nga Policia e Kosovës dy shtetas të Kosovës, me përkatësi etnike serbë, u plagosën pasditen e sotme në fshatin Drajkovc të Shtërpcës. Të plagosurit, njëri 21-vjeçar dhe tjetri 11-vjeçar, morën lëndime nga armë zjarri nga një makinë në lëvizje.