Ministri i Mjedisit, i Planifikimit Hapësinor dhe i Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka thënë se 75 për qind e ndërtimeve në Kosovë janë pa leje. Pasi u miratua në qeveri, Projektligji për trajtimin e ndërtimeve pa leje, Aliu tha se ky numër i madh i ndërtimeve pa leje po ndikon në fushën e planifikimit në vend dhe zhvillimin ekonomik.
Pas mbledhjes së qeverisë, ministri Aliu tha se procesi i legalizimit është i thjesht dhe për banesa kolektive do të kushtojë 2 euro metri katror, ndërsa për ato individuale 1 euro.
“Në regjistrimet e ndërtimeve pa leje në vendin tonë figurojnë 352.836 ndërtime pa leje në gjithë vendin. Vetëm në komunën e Prishtinës janë mbi 46 mijë ndërtime pa leje. Kjo nënkupton se nga stoku ekzistues i ndërtimeve janë mbi ¾ e ndërtimeve janë pa leje. Kjo është një numër i madh i ndërtimeve pa leje, e cila ka ndikuar në fushën e planifikimit në vend”, theksoi Aliu.
Në konferencën për media, Aliu u pyet edhe për aksionin e policisë për ndërtimet pa leje në Brezovicë, për çka tha se i njëjti është i qëlluar.
“Aksioni në Brezovicë është jashtëzakonisht i qëlluar dhe është duke pasur efektin e vet. Degradimi që ka ndodhur në zonën e Brezovicës dhe përgjithësisht në parkun Sharr janë të natyrave të ndryshme. Përveç ndërtimeve pa leje janë edhe hidrocentralet dhe prerja e pyjeve që ka qenë proces i vazhdueshëm dhe degradues i të gjitha pyjeve tona në gjitha parqet nacionale”, shtoi ai.