Alban Zeka, nga Organizata “Me dhe për Kulturën”, u shpreh se ky festival synon t’i lidhë të rinjtë e Kosovës me elementin kryesor të identitetit shqiptar - plisin.
Në 110-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, sot në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë është mbajtur edicioni i parë i Festivalit të Plisit, nëpërmjet të cilit synohet promovimi i kulturës kombëtare shqiptare, sidomos për gjeneratat e reja.
Interesimi për pjesëmarrje në këtë festival ishte i madh, madje organizatorët me qëllim të promovimit të plisit shpërndanë edhe rreth 500 plisa falas për të gjithë qytetarët.
Alban Zeka, nga Organizata “Me dhe për Kulturën”, u shpreh se ky festival synon t’i lidhë të rinjtë e Kosovës me elementin kryesor të identitetit shqiptar - plisin.
Sipas tij, me këtë festival, të cilin synojnë ta bëjnë të përvitshëm, po synojnë kombëtarizimin e plisit dhe ndërkombëtarizimin e trashëgimisë kulturore.
“Plisi është elementi më identifikues i shqiptarëve dhe si organizatë kemi menduar si një festival i tij, si ai i plisit, do t’i lidhë të rinjtë me trashëgiminë e tyre kulturore. Ky është synimi i Festivalit të Plisit. Vizioni i festivalit është të kombëtarizojë duke u shtrirë në të gjitha trevat, dhe ndërkombëtarizimi është që të promovohet trashëgimia jonë kulturore jashtë kufijve shqipfolëse”, tha ai.
Krahas shpërndarjes së plisave, në kuadër të Festivalit të Plisit është vendosur edhe një plis 2 metra e 10 centimetra i gjatë në sheshin “Skënderbeu” i cili do të qëndrojë për dy ditë me radhë në këtë pjesë të qytetit.
Festivali i Plisit është mbështetur nga Ministria e Rinisë, e Kulturës dhe e Sportit, si dhe nga Komuna e Prishtinës.