Shumica e qytetarëve të Kosovës e shohin si kërcënim migrimin e të rinjve / Foto: AA

Rreth 84 për qind të qytetarëve të anketuar nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) në raportin e tyre të fundit e shohin si kërcënim të lartë ose kryesisht kërcënim migrimin e të rinjve dhe profesionistëve nga Kosova.

Dorjeta Rukiqi, një nga autorët e këtij raporti, të titulluar “Perceptimet e qytetarëve mbi sigurinë publike dhe kërcënimet ndaj sigurisë kombëtare në Kosovë”, tha se sa më shumë zgjerohet hapësira dhe komuniteti, aq më e vogël është ndjenja e sigurisë sipas të anketuarve.

Rukiqi tha se rreth 77 për qind e të anketuarve kanë treguar se ndihen shumë të sigurt në shtëpitë e tyre, ndërkaq, 33 për qind e tyre kanë thënë se ndihen shumë të sigurt në shtet.

Tri nga kërcënimet në sigurinë publike të cilat janë parë si më të mëdhajat nga të anketuarit janë largimi i trurit ose migrimi i të rinjve profesionistë nga Kosova, kafshët endacake dhe përdorimi i drogave ose varësia prej tyre.

“Rreth 84 për qind e të anketuarve kanë thënë se e shohin si kërcënim të lartë ose kryesisht kërcënim migrimin e të rinjve dhe profesionistëve, gjegjësisht 67 për qind prej tyre kanë thënë se është kërcënim shumë i lartë dhe 16 për qind prej tyre kanë thënë se është kërcënim”, theksoi Rukiqi.

Sa i përket përdorimit të internetit në Kosovë, 23 për qind e të anketuarve kanë thënë se ndihen shumë të sigurt me përdorimin e tij, 24 për qind kryesisht të sigurt, 28 për qind deri diku të sigurt, ndërsa 19 për qind kanë thënë se ndihen kryesisht të pasigurt dhe shumë të pasigurt me përdorimin e tij.

Po ashtu, nga kërcënimet e larta në sigurinë publike, të anketuarit më së shumti si kërcënim të lartë i kanë konsideruar shërbimet e dobëta të shëndetit publik, ngacmimin seksual, aksidentet në trafik, vrasjet dhe përdorimin e armëve ilegale të zjarrit.

Sa i përket shqetësimit të të anketuarve për mungesat e gjërave të domosdoshme, më së shumti të shqetësuar të anketuarit janë shprehur me elektricitetin, barnat dhe karburantet.

Anketat e QKSS-së janë zhvilluar në Prishtinë, Gjilan, Gjakovë, Ferizaj, Mitrovicë të Jugut, Pejë, Prizren dhe Mitrovicë të Veriut.

AA