Braktisja e institucioneve të Kosovës nga përfaqësuesit e serbëve, përfshirë këtu edhe pushtetin lokal si revoltë për vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe, në targat RKS – Republika e Kosovës solli nevojën e zgjedhjeve të reja në katër komuna të Veriut.
Kështu, gjatë ditës së djeshme dy partitë shqiptare pjesëmarrëse të zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës, ajo e Lëvizjes Vetëvendosje dhe PDK-ja shpallën fitoret e tyre me nga dy komuna si Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.
Rezultatet preliminare
Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) ka publikuar rezultatet preliminare për zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunën e Mitrovicës së veriut, Leposaviqit, Zubin Potok dhe Zveçan.
Sipas të dhënave të KQZ-së, në Mitrovicën e Veriut ka fituar kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Erden Atiq me 519 vota apo 66.5 për qind, pasuar nga kandidati i PDK-së, Taulant Kelmendi me 186 vota apo 23.8 për qind, kurse Betim Osmani nga Iniciativa Qytetare Mitrovica ka marrë 75 vota apo 9.6 për qind.
Lëvizja Vetëvendosje ka fituar po ashtu në Komunën e Leposaviqit me kandidatin Lulzim Hetemi, i cili ka marrë 100 vota apo 73.5 për qind, pasuar nga kandidatja e PDK-së, Albulena Behluli-Hetemi që ka marrë 34 vota apo 25 për qind.
Ndërkaq, në dy komunat të tjera, Zubin Potok dhe Zveçan, sipas të dhënave të KQZ-së ka fituar Partia Demokratike.
Në Zubin Potok ka fituar kandidati i PDK-së, Izmir Zeqiri me 196 vota apo 52.1 për qind, kurse kundër kandidati i tij nga LVV, Flatron Hasani ka marrë 180 vota apo 47.9 për qind.
Në anën tjetër, Ilir Peci nga PDK-ja ka fituar 114 vota në Zveçan apo 60.0 për qind, pasuar nga kandidati i LVV-së, Lulzim Peci me 71 vota apo 37.4 për qind.
Në këto rezultate nuk janë të përfshirë votat me kusht. Në zgjedhjet e sotme në katër komunat veriore kanë marrë pjesë 1567 qytetarë apo 3.47 për qind, nga gjithsej 45 mijë qytetarë me të drejtë vote.
Atmosferë e qetë në zgjedhje
Sipas një njoftimi të Prokurorisë, pas përfundimit të procesit të votimit dhe mbylljes së vendvotimeve, nuk kanë të evidentuar asnjë rast nga veprat penale kundër të drejtave të votimit.
“Prokurori i Shtetit do të vazhdoj të mbikëqyr procesin e numërimit të votave deri në përfundimin e këtij procesi”, thuhet në njoftim.
SHBA: Zgjedhjet në përputhje me kushtetutën
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nëpërmjet një deklarate ka theksuar se zgjedhjet e mbajtura sot në Leposaviq, Mitrovicë Veriore, Zveçan dhe Zubin Potok, ishin në përputhje me kërkesat kushtetuese dhe ligjore të Kosovës.
Nëpërmjet kësaj kumtese, Ambasada, thotë se iu vije keq që jo të gjitha partitë shfrytëzuan të drejtën e tyre demokratike për të marrë pjesë në zgjedhjet e sotme.
“Ne mbështesim një demokraci të larmishme, gjithëpërfshirëse, multietnike në Kosovë dhe zgjedhjet që e mbështesin atë. Na vjen keq që jo të gjitha partitë shfrytëzuan të drejtën e tyre demokratike për të marrë pjesë në zgjedhjet e sotme. Pjesëmarrja në zgjedhje ndihmon për t'u siguruar që udhëheqësit janë përfaqësues të popullatave të cilave u shërbejnë. Votimi është një liri kritike e shoqërive demokratike. Ne i njohim përpjekjet e zyrtarëve zgjedhorë kosovarë për t'i vënë në dispozicion vendet e votimit për qytetarët që dëshirojnë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës, duke minimizuar pikat e mundshme të tensionit”, thuhet në kumtesën e Ambasadës së SHBA-ve në Kosovë.
Nga Ambasada gjithashtu shprehën mirënjohje për profesionalizmin e Policisë së Kosovës, Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX) dhe KFOR-it në sigurimin e një mjedisi të sigurt për zgjedhjet.
“Ne do të vazhdojmë të angazhohemi me të gjitha palët relevante për hapat e ardhshëm. Ne gjithashtu ritheksojmë rëndësinë dhe përkushtimin tonë për zbatimin e plotë të marrëveshjes së Ohrit”, thuhet në deklaratë.